Bota ka shpenzuar 1,8 miliardë dollarë për ushtrinë në vitin 2018. SHBA udhëheq shpenzimet, ndërsa disa nga aleatët e saj të NATO-s janë gjithashtu duke rritur buxhetet e tyre ushtarake.
Viti i kaluar ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm për industrinë e armëve, sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar të Stokholmit për Kërkimin e Paqes (SIPRI).
Sipas raportit të saj më të ri, të lëshuar të hënën, shpenzimet botërore ushtarake u rritën me 2.6 përqind, duke arritur nivelin më të lartë që nga viti 1988, kur studiuesit filluan të gjurmojnë të dhënat.
Shpenzimet ushtarake amerikane ishin 649 miliardë dollarë vitin e kaluar, që përbën 36 për qind të totalit të botës. Ndërsa rivali më i afërt, Kina kishte rreth 250 miliardë dollarë.
Rritja e shpenzimeve ushtarake është nxitur nga rivaliteti në rritje mes SHBA-së dhe Kinës, si dhe nga gjendja e tensionuar në Azi, ku India rriti shpenzimet e saj me 3.1 për qind dhe Pakistanin me 11 për qind.
“Tensionet midis vendeve në Azi, si dhe midis Kinës dhe SHBA-së, janë shtytëse kryesore për rritjen e vazhdueshme të shpenzimeve ushtarake në rajon”, tha Pieter Wezeman, një studiues i lartë në programin e SIPRI-s për Armët dhe Shpenzimet Ushtarake (AMEX).