“Unë kam qenë një çerr i vogël kur Spirit Voice bënte namin në Tiranë”, kështu tha dje kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, pak orë para koncertit të Soni Malajt në Amfiteatrin e Tiranës. Veliaj e quajti veten “çerr”, por duket se e ka harruar se ai është pothuajse në një moshë me Soni Malajn.
Kur Soni dhe banda e saj “Spirit Voice” bënë deputimin e tyre të parë në vitin 1997, Soni ishte 16-vjeç. Por Veliaj që e quajti veten “çerr” para Sonit, vetë nuk ishte më i vogël. Soni Malaj ka lindur në vitin 1981, ndërsa Veliaj në 1979. Pra është dy vite më i madh, por nga emocioni duket se e ka harruar këtë fakt.
“Spirit Voice” ishte grupi i parë muzikor i përbërë nga vajza në Shqipëri.
Grupi përbëhej nga Angjelina Gilardi, Larisa Vrana, Dorina Nizami dhe Soni Malaj. Brikel Guga me saksofon shoqëronte vajzat nëpër festivale. Edhe pse ishte më e vogla e grupit, Soni spikati jo vetëm për zërin e bukur, por edhe për paraqitjen dhe aftësinë e saj për të kërcyer.
Në vitin 1998, Larisa Vrana, u largua nga grupi dhe Elia Zaharia, u bashkua në vend të saj.