Një 34-vjeçar në Korçë ka rënë në prangat e policisë, pas operacionit të koduar “Ndjekja”.
Policia ishte vënë në ndjekje të korçarit pas dyshimeve se ai merrej me veprimtari të jashtëligjshme në fushën e lëndëve narkotike.
Në makinën e 34-vjeçarit, policia gjeti 46 kilogramë Canabis si dhe 20 000 Euro në banesën e tij.
“Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Finalizohet operacioni i koduar “Ndjekja”.
Sekuestrohen 46 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 20 000 Euro.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Korçë, organizuan dhe finalizuan operacionin antidrogë të koduar “Ndjekja”.
Si rezultat i operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Th.Dh., 34 vjeç, banues në Korçë, i cili ka tentuar të largohet, por është kapur pas ndjekjes nga Policia.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Benz”, të cilin ky shtetas drejtonte, iu gjetën 46 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, kurse gjatë kontrollit në banesën e tij, iu gjetën e sekuestruan edhe 20 000 Euro si edhe 10 aparate celulare.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e policisë.