Bashkëthemeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, i cili është dënuar me burg nga autoritetet britanike për 50 javë, është i vendosur të luftojë kërkesën e ekstradimit të SHBA, pasi Washingtoni kërkon ta dënojë vetëm pse ai “ka bërë gazetari”.
Assange u përball me një gjykatë në Londër mbi kërkesën e ekstradimit të SHBA. Kur u pyetën nëse dëshiron ta pranojë atë, “RT” shkruan se Assange kundërshtoi dhe shprehu vendosmërinë për të luftuar ekstradimin.
“Unë nuk dua të dorëzohem për ekstradim pse kam bërë gazetari që ka fituar shumë, shumë çmime dhe ka mbrojtur shumë njerëz.”, tha Assange.
SHBA e akuzon Assange për komplot në ndërhyrje kompjuterike, lidhur me punën e tij në bashkëpunim me informatorin Chelseat Manning, i cili ka publikuar disa dokumente të klasifikuara lidhur me Luftën në Irak.
Vepra për të cilën akuzohet Assange parashikon dënim maksimal prej pesë vjetësh pas hekurave, por avokatët e themeluesit të WikiLeaks kanë frikë se do të ndiqen më shumë akuza ndaj tij.
Sipas tyre, Assange madje mund të përballet me akuza sipas Ligjit të Espionage të vitit 1917, një legjislacion i ashpër që parashikon dënime të gjata burgimi dhe madje edhe dënimin me vdekje për ata që shpallen fajtorë.