Gjatë një fjalimi të mbajtur përpara trupave ushtarake këtë të shtunë, presidenti venezuelas, Nicolas Maduro u ka bërë thirrje Forcave të Armatosura të mobilizohen dhe të jenë në gatishmëri, në rast të një ofensive ushtarake të Shteteve të Bashkuar kundër vendit amerikano-jugor.
Maduro kërkoi nga ushtria “të jetë e gatshme të mbrojë tokën mëmë me armë në duar, nëse një ditë perandoria amerikane guxon të prekë këtë territor, këtë tokë të bekuar”.
Fjalimi i tij në bazën ushtarake që ndodhej në veriperëndim të vendit, ku u shfaq në krah të ministrit të Mbrojtjes, Vladimir Padrino, erdhi në një kohë kur udhëheqësi i opozitës Juan Guaido mblodhi mbështetësit e tij në një tjetër ditë protestash, për t’i bërë presion Forcave të Armatosura të mbështesin përpjekjen e tij për largimin e Maduros nga pushteti.
Më herët gjatë kësaj jave, Guaido u përpoq më kot të nxiste një kryengritje ushtarake, gjë që u shua shumë shpejt, pasi një grup prej 25 ushtarësh rebelë kërkuan statusin e refugjatit në Ambasadën braziliane në Karakas.
Maduro u kundërpërgjigj pas këtij akti, duke këmbëngulur se komanda e lartë e ushtrisë ka konfirmuar besnikërinë ndaj tij.
“U kam thënë gjeneralëve dhe admiralëve dje se, ajo çfarë dua prej tyre është besnikëri dhe vetëm besnikëri. Unë besoj te ju, por duhet t’i mbani sytë hapur. Një grusht tradhtarësh nuk mund ta nxijnë nderin, unitetin, kohezionin dhe imazhin e Forcave tona të Armatosura”, tha presidenti në fjalimin e transmetuar drejtpërdrejt në radiotelevizionin publik.
Udhëheqësi socialist akuzoi Guaidon, i vetëshpallur president i përkohshëm dhe i njohur nga mbi 50 shtete, se u përpoq të nxiste një “grusht shteti”. Por, pavarësisht përpjekjeve të tij, ushtria i mbeti besnike Maduros. Apeli i tij erdhi në përfundim të një jave, gjatë së cilës Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo paralajmëroi Karakasin se “ndërhyrja ushtarake është një opsion i mundshëm”.