DJ i famshëm australian, Adam Sky, ka humbur jetën në një aksident gjatë pushimeve në ishullin indonezian të Balit.
“BBC” shkruan se 42-vjeçari është dëmtuar rëndë duke u përpjekur të ndihmojë një shoqe. Ndërkohë që Sky vraponte për të ndihmuar shoqet, ai përplaset në një derë qelqi, duke u prerë kudo dhe duke humbur gjak.
Sipas “Nine News”, shoqja e DJ-it Zoia Lukiantceva, e cila është dhe asistentja personale e Adam, kishte rënë nga një lartësi prej katër metrash nga tarraca, në zonën e pishinës.
Policia beson se incidenti ndodhi të premten mbrëma, por trupi i Adam Sky u zbulua të shtunën në mëngjes, pasi stafi i hotelit e gjeti Lukiantceva-n në disa shkurre me një këmbë të thyer.
“Lukiantceva mbijetoi dhe është dërguar në spital. Kurse, Adam ishte i vdekur kur u gjet”, tha shefi i Policisë, Doddy Monza.
Emri i vërtetë i DJ nuk është Adam Sky, por Adam Neat. Ai u rendit si DJ i tretë më i pëlqyer në Azi vitin e kaluar.