Vendosni fjalën kyçe....

Cilët janë dy ushtarakët shqiptarë që u plagosën në Letoni


Nga shpërthimi i një mine në Letoni ku humbi jetën dje efektivja e FA-ve, Zerife Hasanaj, kanë mbetur të plagosur edhe dy ushtarakë të tjerë shqiptarë. Ata janë komandanti i kontigjentit, Major Klodian Nikolla Tanushi dhe Rreshter Julian Xhevat Kapaj.

Dy ushtarakët në fotot e mëposhtme janë ata që mbetën dje të plagosur, por ende nuk thuhet asgjë për gjendjen e tyre shëndetësore.

Major Klodian Nikolla Tanushi ka lindur në Dibër më 31.10.1980. Tanushi është i martuar dhe është babai i tre fëmijëve, dy djemve dhe një vajze të moshave 14 vjeç, 11 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.

Rreshteri Julian Kapaj, ka lindur më 05/08/1978, në Qytetin e Tiranës ku edhe banon. Ai është i martuar dhe është baba i dy fëmijëve.

Lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi dje në Letoni, reagoi dhe Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila shprehu ngushëllimet e saj për familjen e Hasanajt si dhe u uron shërim të shpejtë dy ushtarakëve të plagosur.

“Dhimbje e madhe për humbjen e dëshmores së Forcave të Armatosura, nëntetares Zarife HASANAJ. Në këtë moment të vështirë jemi pranë familjes së vajzës sonë e do të vazhdojmë t’i gjendemi pranë, për të përballuar bashkë humbjen e madhe. Respekt dhe mirënjohje pafund për Zarifen, për sakrificën, guximin dhe vendosmërinë në përballjen me rrezikun gjatë përmbushjes së detyrave të saj. Djemve tanë të plagosur, major Klodian TANUSHI dhe rreshter Julian KAPAJ, u uroj shërim të shpejtë dhe kthim shëndoshë e mirë pranë familjes sonë të Forcave të Armatosura.”, shkruan Xhaçka.

Hasanaj, Tanushi dhe Kapaj, ishin pjesë e grupit xhenier për demontimin e minave, që po marrin pjesë në misionin e NATO-s në Letoni. Shpërthimi i një mine i mori jetën dje efektives së Forcave të Armatosura shqiptare, Zerife Hasanaj.

Një muaj më parë, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, shpërndau një video në të cilën shfaqej edhe Hasanaj me kolegët e saj, të cilët shprehin krenarinë që janë në këtë mision, që korrespondon 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ky ishte misioni i parë jashtë vendit i efektives nga Tropoja, e cila jetonte në Babrru me prindërit dhe vëllain e martuar./Hashtag.al

“Është hera e parë që kontribuoj në komisionet jashtë vendit dhe bëj pastrimin e zonave të infektuara nga municione të paplasura. Gëzuar Shqipëri 10 vjetorin në NATO”, shprehet nëntetarja Zerife Hasanaj në videon në fjalë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *