Gjatë fjalës së tij para qytetarëve të Shkodrës, kreu i PD-së, Basha, deklaroi se beteja për çlirimin e Shqipërisë ka nisur dhe nuk do ndalet deri në largimin e Edi Ramës dhe klikës së tij kriminale.
Ai tha se çlirimi i Shqipërisë është misioni i opozitës ndërsa beteja e nisur javë më parë me djegien e mandateve ka përmbysur realitetin politik.
Basha theksoi se krimi është bashkëpunëtori i Ramës në pushtet dhe largimi i tij është emergjencë kobëtare.
“Krimi është bashkëpunëtori më i ngushtë i Edi Ramës, për të qendruar në pushtet. Askush më mirë se shkodranët nuk e di këtë. Disa prej këtyre kriminelëve janë prapa hekurave dhe vazhdojnë të bëjnë përpjekje për të drejtuar punët e tyrë të pista nga burgu, për të komunikuar me Ramën. Por atyre u themi: mos u mundoni shumë për t’u lidhur në telefon me Edi Ramën. Së shpejti do t’ua sjellim Edi Ramën aty ku jeni ju, bashkë më kriminelët e tjerë në pushtet. Beteja që ka nisur nuk do të njohë gjunjëzimin e Shkodrës. Krimi nuk do ta gjunjëzojë Shqipërinë. Liria dhe demokracia janë frymëzimi ynë. Çlirimi i Shqipërisë nga qeveria e lidhur me krimin është misioni ynë për të realizuar endrrën Shqipëria si gjithë Europa. Beteja e nisur javë më parë ka përmbysur realitetin politik. Sot 11 javë më vonë nga djegia e mandateve e gjithë opozita e bashkuar është në krahun tuaj për këtë betejë pa kthim.” – deklaroi Basha.