Shefja e politikes së jashtme të BE-së, Mogherini, ka deklaruar se çelja e negociatave të Shqipërisë me BE-në është në dorën e vendeve anëtare.
Ajo tha se Shqipëria ka bërë progres në reforma të rëndësishme ndërsa tha se qytetarët nuk duhet të privohen nga zgjedhjet e 30 qershorit.
“Dëshiroj t’ju përgëzoj për punën që keni bërë për 3 zhvillime kryesore. Ju po kaloni tashmë një proces të qenësishëm të reformës në drejtësi. Transformimi jo vetëm për të kënaqur institucionet e BE-së por pritshmëritë e qytetarëve. Ajo që është arritur me reformën në drejtësi mbetet e paprecedentë jo vetëm në këtë rajon. Ju keni arritur që të keni një reformë në sistemin e drejtësisë që do të ishte shembull dhe për disa shtete anëtare të BE-së në një proces që nuk ka qenë i lehtë. Vettingu ka sjellë rezultate të prekshme. Qytetarët të mos privohen nga zgjedhjet e ardhshme vendore. Ky është një mesazh i fortë dhe i bashkuar i gjithë institucioneve të BE-së.” – tha Mogherini.
Mogherini tha ndër të tjera se vendet anëtare do përcaktojnë nëse do çelen negociatat e Shqipërisë me BE-në ndërsa shtoi nuk ka ardhur në Tiranë për të negociuar zgjidhjen e krizës politike në vend.
“Çelja e negociatave në qershor objektiv i arritshëm por nuk duhet marrë i mirëqenë. Opinioni publik në ato vende duhet të jetë mbështetës. Ky është objektivi ynë i përbashkët, që shtetet anëtare t’i njohin arritjet. Roli i BE-së është të nxiesë marrëdhëniet mes institucioneve. Nuk kam bërë negociata e ndërmjetësime në 2017-ën dhe nuk e kam bërë këtë as në vendet e tjera. Nuk është qasja jonë për marrëdhëniet e brendshme politike në vendet kandidate. Nuk negocioj mes partive politike në Shqipëri dhe as në vendet e tjera.” – shtoi Mogherini.