Kryeministria është rrethuar me gardh metalik nga policia ndërsa më shumë se 1500 efektivë do jenë në terren për protestën e sotme të opozitës së bashkuar.
Ndërtesa e Kuvendit është rrethuar me tela me gjemba ndërsa të gatshëm janë makinat me ujë. Si përherë forcat e policisë janë pajisur me maska kundër gazit lotsjellës, i cili është përdorur në të gjitha protestat e mëhershme të opozitës.
Dhjetëra mijëra qytetarë mësohet se janë nisur nga rrethet e ndryshme të vendit për të mbërritur në Tiranë duke iu përgjigjur thirrjes së opozitës së bashkuar.
Krerët e saj kanë deklaruar se nuk do ketë zgjedhje me Edi Ramën kryeministër ndërsa qeverisja kriminale i ka orët e numëruara.
Basha paralajmëroi dje nga Kamza zyrtarët e administratës që të mos firmosin asnjë tender korruptiv për të grabitur pronat e shqiptarëve pasi do përgjigjen para ligjit sapo opozita të vijë në pushtet.
Ndërsa kanë deklaruar se nuk i njohin vendimet e parlamentit që janë marrë pas djegies së mandateve nga ana e opozitës.