Vendosni fjalën kyçe....

Lirohet Sahit Dollapi, u godit me shkopinj gome nga policia


Lirohet Sahit Dollapi, pas masakrimit me shkopinj gome gjatë protestës së djeshme nga policia.

Sekretari organizativ i PD-së u dhunua barbarisht nga efektivët e policisë, ndërsa ata janë urdhëruar nga drejtuesit ta lirojnë, në Spitalin Ushtarak ku e kishin rrethuar, ndërsa sekretari i PD-së po merrte ndihmën e parë për plagët e marra.

Dollapi, i vetëm, u dhunua nga disa efektivë, edhe pse kishte në dorë vetëm një celular por burime nga policia dhanë një version tjetër, se ai kishte kundërshtuar efektivët për të hequr maskën kundragaz dhe në vrapim e sipër ishte rrëzuar.

Mijëra protestues të opozitës së bashkuar mbajtën dje pasdite protestën e radhës, ku kërkojnë largimin e Edi Ramës dhe ngritjen e qeverisë tranzitore.

Para Kryeministrisë, protestuesit kishin nisur të hidhnin bomba Molotov dhe fishekzjarre e sende të tjera në drejtim të godinës së kryeministrisë duke i vënë flakën dyerve.

Pas mbërritjes në mes të turmës, Basha foli para qytetarëve duke lëshuar akuza të rënda në drejtim të kryeministri Rama duke deklaruar se zgjedhje me të në krye të qeverisë dhe klikën e tij kriminale nuk mund të ketë dhe nuk do ketë.

Në mes të fjalës së tij, pati një moment tensioni mes protestuesve dhe policisë dhe kjo e fundit hodhi gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve duke detyruar Bashën të ndërpriste fjalën e tij.

Basha u ngjit sërish në mes të turmës duke kërkuar moscënimin e forcave të policisë ndërsa tha se zgjedhjet e lira e të ndershme janë rruga e vetme drejt Europës.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos cënojnë efektivët e policisë duke theksuar se beteja e qytetarëve ishte me qeverisjen kriminale të Ramës.

Pas kësaj protestuesit nisën lëvizjen rreth kryeministrisë dhe më pas u nisën drejt parlamentit ku pati sërish përplasje mes policisë dhe qytetarëve. Fishekzjarreve të këtyre të fundit policia iu përgjigj me gaz lotsjellës ndërsa në një episod, u dhunua me shkopinj gome Sekretari Organizativ i PD-së, Seit Dollapi.

Protesta e djeshme u transmetua nga disa media ndërkombëtare si “Washington Post”, “RT” e “Zëri i Amerikës”. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *