Gent Cakaj, ministri i deleguar i Edi Ramës për punët e jashtme është thellësisht i shqetësuar këtë të diel, pasi ka marrë vesh se çfarë ka ndodhur me muret e korridorit, ku kalon përditë ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt.
Sipas Cakajt, ky është një sulm me urdhër të qartë politik, për ta frikësuar ambasadorin.
“Mjaft është mjaft!
Sulmi i mbrëmshëm ndaj shtëpisë të Ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri,
Bernd Borchardt, pas deklaratës publike të OSBE kundër dhunës kriminale në protestën e djeshme, përbën një tjetër akt të papranueshëm kriminal. Veprimi është kryer në urdhëra të qarta politike të krerëve të protestës me qëllim frikësimin e Ambasadorit Borchardt dhe familjes së tij, si hakmarrje primitive e atyre që pasi kanë humbur kontrollin e vetes duan të nxjerrin nga kontrolli rendin kushtetues të Shqipërisë!
Ambasadori Borchardt vazhdimisht ka kryer punën e tij me profesionalizëm të plotë në kuadër të Misionit të OSBE-së dhe faji i tij i vetëm është thirrja fisnike për frenim nga dhuna dhe distancim nga veprimtaria e dhunshme. Sulmi ndaj tij është sulm ndaj themeleve të kulturës demokratike, imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë dhe përpjekje e drejtëpërdrejtë për ta cenuar besueshmërinë e Shqipërisë për kryesimin e OSBE-së 2020. Kjo nuk është thjeshtë Shqipëria që duam: kjo nuk është kurrësesi as Shqipëria e tanishme. “, shkruan Cakaj.
Sipas ministrit të deleguar kjo është Shqipëria e një grupi rrugëhumburish politik dhe huliganë kriminalë si ata që kryejnë akte dhune dhe që kanë dhunuar edhe banesën e ambasadorit.
“Për më shumë, kultura e linçimit masiv, diskreditimit tendencioz profesional dhe cenimit personal është krim në vetvete. Ndaj, secili person me përgjegjësi minimale shoqërore duhet menjëherë të distancohet nga sulmi kriminal ndaj Ambasadorit Borchardt dhe të dënojë veprimtarinë e dhunshme kundër Shqipërisë në përgjithësi.”, përfundon ai.
“Borchardt, turp të kesh!”, shkruhej në muret e korridorit ku kalon përditë ambasadori.