Studentja Ana Hazizaj është shoqëruar mbrëmë në orën 11 të natës në polici. Efektivët e kanë marrë nga shtëpia me dhunë, duke mos e njoftuar paraprakisht që të përgatitej.
“Hashtag.al” mëson se studentja Hazizaj (aktiviste e LSI-së) është liruar pas orës 02:30 të mëngjesit pas debateve dhe reagimeve të politikanëve të opozitës dhe gazetarëve.
Hazizaj akuzohet se është ajo e cila ka shkruar në murin e banesës së ambasadorit të OSBE-së, Bernd Borchardt “Borchardt Shame on you”.
Petrit Vasili ishte i pari që reagoi ashpër mbrëmë lidhur me shoqërimin e studentes në komisariat, duke e konsideruar turp dhe skandal nga ana e policisë.
Lidhur me parrullën “Shame on you”, ndër të parët që ka reaguar është ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj.
Ai e konsideroi shënim në mur si një akt të “papranueshëm kriminal”.
“Mjaft është mjaft! Sulmi i mbrëmshëm ndaj shtëpisë të Ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri,
Bernd Borchardt, pas deklaratës publike të OSBE kundër dhunës kriminale në protestën e djeshme,
përbën një tjetër
akt të papranueshëm kriminal. Veprimi është kryer në urdhëra të qarta politike të
krerëve të protestës me qëllim frikësimin e Ambasadorit Borchardt dhe familjes së tij,
si hakmarrje primitive e atyre që pasi kanë humbur kontrollin e vetes duan të nxjerrin nga kontrolli rendin kushtetues të Shqipërisë!”, shkroi Cakaj.
Kryebashkiaku i Tiranës, është gjithashtu ndër të parët që ka reaguar ashpër ndaj parrullës kundër ambasadorit të OSBE-së.
“Sulm vandal ndaj ambasadorit gjerman të OSBE në Shqipëri nga disa frikacakë, në prag të presidencës sonë të OSBE”, janë fjalët me të cilat Veliaj e komenton aktin e shprehjes së revoltës së studentes kundër ambasadorit të OSBE-së./Hashtag.al