Rrjeti social “Facebook” ka njoftuar se do të kufizojë mundësinë për transmetim të drejtëpërdrejtë pak para mbajtjes së një samiti që synon frenimin e terrorit në internet pas sulmeve në dy xhami në Christchurch të Zelandës së Re.
“Transmetimi Live mund të abuzohet dhe ne duam të ndërmarrim hapa për të kufizuar këtë abuzim”, tha Facebook në një deklaratë.
Gjiganti teknologjik ka thënë se fillimisht do të ketë paralajmërime për shkelje të rregullave të reja të Facebook-ut. Kompania tha se ata planifikojnë të zgjerojnë kufizimet gjatë javëve të ardhshme, duke përfshirë krijimin e reklamave, por nuk paraqesin plane specifike.
Revista “Time” shkruan se kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern dhe Presidenti francez Emmanuel Macron do të organizojnë një samit të mërkurën, ku ata planifikojnë t’i kërkojnë gjigantëve të teknologjisë të nënshkruajnë një premtim të quajtur “Thirrja e Christchurch” për të rënë dakord për të luftuar ekstremizmin në internet.
“Facebook” gjendet në mesin e një bumi kritikash, për rolin që luan në përhapjen e terrorizmir që pas sulmit në Christchurch. Në mars, një i vetëquajtur supremacist i bardhë ka sulmuar dy xhami në këtë vend të Zelandës së Re, duke lënë të vdekur 51 persona.
Agresori transmetoi live në “Facebook” 17 minuta xhirimeve nga ngjarja. Në 24 orë pas sulmit, kompania u detyrua të hiqte 1.5 milionë video që përmbanin pamjet e gjakderdhjes.