Jo më larg se 24 orë më parë kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi u paraqit në studion e “Zërit të Amerikës” për të folur mbi situatën politike.
Andej nga fundi i bisedës, gazetarja i bëri një pyetje Kryemadhit, në lidhje me një informacion mbi anulimin e vizës së Petrit Vasilit. E gjendur ngushtë, Kryemadhi ngriti supet dhe tha që nuk dinte ndonjë gjë.
Më pas u përpoq ta paraqiste Vasilin si një bashkëpunëtor të ish-ambasadorit Lu për reformën në drejtësi, një pretendim që zor se mund ta besojë ndokush, pasi kontaktet formale dhe bashkëpunimi, nuk është se janë e njëjta gjë.
Por nëse Kryemadhi u hutua dhe u gjend si në kurth nga pyetja, kjo është njëra anë e medaljes, që tregon sugjestionimin e politikanëve shqiptarë që duket se e perceptojnë ende ambasadën e SHBA-ve dhe “Zërin e Amerikës” me të njëjtin kut si në vitin 1991.
Ana tjetër e medaljes, është mungesa e theksuar e një këndvështrimi kritik në Tiranë ndaj rolit dhe mënyrës si bën diplomaci ambasada amerikane, e aq më keq, metoda sulmuese dhe sugjestionuese e “Zërit të Amerikës”, një media e cila pretendon se bën gazetari të llojit “fanar ndriçues”, ndonëse evidencat që do rendisim në këtë shkrim, flasin për tjetër gjë.
Por le ta nisim info-analizën duke e ndarë në dy sektorë, fillimisht ofrojmë disa të dhëna për mënyrën si ka bërë diplomaci ambasada amerikane, e më pas shqyrtojmë dhe mënyrën si po bën gazetari “Zëri i Amerikës”.
Për ambasadën amerikane rendisim 3 episode:
-Episod 1. Episodi i parë lidhet me ish-ambasadorin amerikan John Withers. Ai njihej për pasionin e tij për poezinë, kur erdhi në Shqipëri ishte hera e parë që punonte si ambasador. Pas ngjarjes së Gërdecit në vitin 2008, Withers shpeshtoi daljet dhe kritikat publike ndaj qeverisë Berisha, ndonëse më pas u mësua se ai vet ishte i hetuar nga Kongresi për implikim në aferën e trafikut të fishekëve me Pentagonin.
Pavarësisht se ishte një i dyshuar, Withers u shndërrua në një yll televiziv, ai shkoi dhe në emisionin humoristik Portokalli ku një ditë të bukur tregoi një përrallë për krimbin që hëngri gjethen e vet. Të nesërmen nuk reshtën analizat se çfarë donte të thoshte ambasadori Withers me këtë përrallë. Kritikët dhe elita mediatike e vendit, ishte në garë për të zbërthyer mesazhet e kodifikuara të përrallës.
Por ndonëse elita e Tiranës vriste mendjen dhe kishte përveshur mëngët, atje në SHBA, ambasadorin Withers nuk është se e konsideronin kaq shumë, përkundrazi madje, e kishin bërë objekt humori dhe barcoletash në kohën e lirë.
Në Departamentin e Shtetit ndodhet sektori që mbulon Ballkanin, atje dy ose tre burokratë, lexojnë dhe analizojnë informacionin që u vjen nga ambasadat e tyre në Ballkan me kabllograma.
Kabllogramat e Withers bënin përjashtim nga rregulli, pasi ai kishte filluar që të shfaqte talentin e tij poetik dhe në raportimet zyrtare. Ndonëse departamenti i Shtetit ka një modul standard për raportimin e ambasadave, Withers e anashkaloi këtë gjë, ai raportonte me tone poetike, me simbole, me epitete. Burokratët e kuptuan se ambasadori i tyre në Tiranë kishte marrë për kot, por nuk është se e ndalën, ata kur mblidheshin në vaktin e drekës, i printonin kabllogramat e tij dhe për t’u zbavitur i lexonin mes tyre, ishte kthyer në një lloj argëtimi, hanin vaktin e drekës dhe gajaseshin me poetin e Tiranës dhe raportimet e tij letraro-artistike.
-Episod 2. Ky episod lidhet me ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu. Ndoshta prisni që të përmendim dobësinë që kishte ndaj Olta Gixharit, por jo, diçka edhe më pikante ndodhi me të. Pasi përfundoi shërbimin diplomatik në Shqipëri, Arvizu u caktua si aparatçik në Departamentin e Shtetit në një sektor të dorës së dytë, dukej sikur i kishin thënë: “Ha dhe ti një kore bukë se e ndrite në Tiranë”.
Në vitin 2017, Arvizu u shkarkua dhe nga ky pozicion pune, por në mënyrë të beftë bashkëshortja e tij, bëri një reagim në rrjete sociale. Zonja Arvizu e paraqiti shkarkimin e tij si një padrejtësi të madhe, madje shfaqi dhe dyshime nëse do të mbijetonte profesionalizmi diplomatik i Perandorisë Amerikane, pas ikjes së Arvizu.
Shprehej zonja e tij:
”Nesër është dita e fundit e Alex-it në Shërbimin e Jashtëm. Amerika po lejon që Departamenti i Shtetit të kolapsojë (rrëgjohet) dhe që ekspertiza e tij të avullojë, dhe ka ardhur koha që ai të merret me gjëra të tjera. As Drejtori i Përgjithshëm nuk do të jetë aty për t’i thënë ‘mirupafshim’ dhe shtrënguar dorën.”
Rast i paprecedentë në historinë e diplomacisë, kur bashkëshortja e pikëlluar e një ambasadori bën jehonë në media me pikëllimin e saj. Aq sa u bë e vështirë të kuptoje nëse këta të dy ishin personazhe romantikë të telenovelave turke, apo diplomatë karriere.
-Episodi 3. Patjetër që ka lidhje me ish-ambasadorin Donald Lu. Ai shfaqej tepër i preokupuar për të organizuar paradat e LGBT dhe për të shantazhuar, politikanë, prokurorë, gjykatës, me qëllim që të impononte reformën në drejtësi.
Sot reforma e tij në drejtësi, ka sjell një kolaps të sistemit, për shkak se bllokoi Gjykatën Kushtetuese. Donald Lu, preferonte shpesh të fliste për narkotrafikantë si Balili, por nuk tha dot asnjë fjalë për kanabizimin e Shqipërisë, dukej sikur SHBA-të e kishin lejuar në heshtje kanabizimin e vendit, por kjo kompromentoi rëndë rolin e SHBA në retorikën e reformës në drejtësi.
Sepse nuk mund t’i bësh dot të dyja njëherësh. Edhe t’i kthesh drejtoritë e policisë në kartele droge, por edhe të shesësh moral e të reformosh drejtësinë. Ishte një paradoks, që e nxori Donald Lu-në zbuluar, si shërbëtor të Ramës, por sidomos shërbëtor të Fondacionit për Shoqërinë e Hapur(SOROS), pasi ishte ky fondacion që shtyu reformën në drejtësi dhe u përpoq të zhdukte nga raportimet e veta monitoruese problemin e kanabizimit.
Janë tre shembuj që orientojnë mbi nivelin komik të përfaqësuesëve të SHBA-ve në vendin tonë, nuk është se po kërkojmë që Amerika të na trajtojë sikur jemi Kina apo Polonia, por ndoshta dhe këtë nivel komik ambasadorësh nuk e meritojmë.
Dy episode nga “Zëri i Amerikës”
Episodi 1. Në vitet 2017-2018 “Zëri i Amerikës” informonte mbi raportet vjetore të “Freedom House” (lexo këtu dhe këtu), një organizatë e financuar dhe e kontrolluar nga Fondacioni Soros. Ndërsa Shqipëria ishte e zhytur në kanabis e ndërsa shefat e policive ishin kthyer në padronë kartelesh, “Freedom House” përmendte si zonë problematike Lazaratin, fshat i cili nuk ishte më vatër kanabisi që prej aksionit të vitit 2014.
Ndonëse pranonte fenomenin e kanabizimit, “Zëri i Amerikës” bazohej te “Freedom House” dhe e paraqiste luftën e policisë ndaj kanabizimit si një sukses të rrallë.
Gazetarët e kësaj mediaje nuk zhvilluan vetë asnjë hulumtim dhe injoruan shumicën e raportimeve mediatike në vend që sugjeronin se Shqipëria në vitet 2016-2017 ishte shndërruar në një vatër jeshile në hartë.
“Zëri i Amerikës” injoroi realitetin në Shqipëri dhe preferoi të mbështetej në raporte mashtruese, të motivuara politikisht, duke i shërbyer pa ekuivok Edi Ramës dhe konjukturës së tij diplomatike.
Episodi 2. Escobari nga Delvina
Rasti më spektakolar i hulumtimeve të “Zërit të Amerikës” është ai për Klement Balilin, një drejtor shtetëror i emëruar nga LSI, emri i të cilit doli në përgjimet e prokurorisë greke.
“Zëri i Amerikës” përdori termin “Escobari i Ballkanit”, ndonëse Escobari njihej për trafikim kokaine, ndërsa Balili dyshohej për trafikimin e 650 kilogramë kanabis.
Por erdhi rasti shumë shpejt që “Zëri i Amerikës” të dilte zbuluar me “Escobarin”, në momentin kur në portin e Durrësit u sekuestruan 650 kilogramë kokainë.
Për këtë sasi të madhe kokainë u arrestuan dy adoleshentë. Askush nuk pyeti më tej se kush ishin porositësit, por falë “Zërit të Amerikës”, nofka “Escobar” i mbeti Klement Balilit, që dyshohet se trafikoi 650 kilogramë kanabis, ndërsa për ata që trafikuan 650 kilogramë kokainë dhe që nuk dihet ende se kush janë dhe kush i mbron, “Zëri i Amerikës” nuk është se ka bërë ndonjë interesim apo hulumtim eskobaresk.
Zakonisht “Zëri i Amerikës” preferon të bëjë “pyetje të rënda” në studio. Ku më pikantja lidhet me vizat që ambasada amerikane në Tiranë ua mohon politikanëve ose zyrtarëve të ndryshëm.
Vazhdojnë ende dhe përdorin të njëjtën teknikë dhe në vitin 2019, ndonëse sot kemi një precedent që e ka hedhur në erë këtë skemë shantazhi me anulimin e vizave.
Precedenti quhet Viktor Orban.
Ai është i pari lider i Evropës Juglindore, që u prit në Shtëpinë e bardhë nga Presidenti Donald Trump dy ditë më parë. Mund të lexoni këtu dhe këtu, se si ambasada amerikane madje dhe Viktoria Nuland dikur kanë anuluar vizat dhe e kanë kritikuar Orbanin. Por sot ai rezulton si lideri më i preferuar për Donald Trump.
Ndoshta Viktor Orban është precedenti që tregon se tashmë ka një ndasi të thellë në SHBA, ku Presidenti aktual, është krejt i distancuar dhe me tjetër filozofi nga ajo që vazhdojnë të aplikojnë disa ambasada ende të pareformuara në vende periferike si Shqipëria, por mbi të gjitha Viktor Orban është shembulli më i freskët që na tregon se dënglat e “Zërit të Amerikës” me anulim vizash janë shantazhe mediokre dhe pa vlerë, nuk pijnë më ujë. / Hashtag.al