Vendosni fjalën kyçe....

“Në 6 vjet qeverisje Rama s’ka sjellë asnjë investim të huaj, opozita do frenojë mjerimin” – PD


Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Rama dhe qeverisjen e tij për përkeqësimin e ekonomisë në vend.

Sipas selisë, blu, që i referohet një raporti të Bankës së Shqipërisë mbi uljen e rritjes së ekonomike, shkak për këtë është bërë mosardhja e asnjë invesimi të madh në vend.

Dy të fundit kanë qenë TAP dhe Hidrocentrali i Devollit, të dyja të siguruara gjatë qeverisjes së PD-së.

Kjo e fundit u bën thirrje qytetarëve të bashkohen me opozitën e bashkuar dhe ofertën e saj për t’i dhënë fund mjerimit të vendit.

Deklarata e plotë e PD-së

Banka e Shqipërisë sapo ka njoftuar se rritja ekonomike e vendit vazhdon të bjerë pa ndërprerje që nga tetori i vitit 2018. Arsyeja kryesore është rënia drastike e investimeve të huaja.

Deri tani kontribuesit kryesore në rritjen ekonomike ishin investimet e mëdha që siguroi PD. Me përfundimin e punimeve në gazsjellësin TAP dhe Hidrocentralin e Devollit, ka rënë edhe rritja ekonomike e vendit.

Ekonomia shqiptare po  mbaron.

Qeveria “Rama” në këto 6 vjet ka sjellë zero investime të reja te huaja dhe nuk ka hapur vende të reja pune.

Paraja kriminale po përzë paranë e ndershme dhe, me përjashtim të kantiereve të pastrimit të parave me ndërtime luksoze në qendër të Tiranës, kantieret e vërteta të punësimit nuk ekzistojnë.

Kriminalizimi dhe klientelizimi i ekonomisë po shkatërron të ardhmen e vendit: sot vetëm kriminelët dhe klientët mund të punojnë duke pastruar para dhe vjedhur pasuritë e vendit.

Fotografia me e qartë e gjendjes së mjeruar ekonomike të vendit janë radhët pa fund të të rinjve shqiptarë në  Ambasadën Gjermane për viza të përkohshme punësimi. Të gjithë duan të ikin nga Shqipëria e Edi Ramës.

I vetmi investim që ka bërë ndaj tyre Edi Rama është blerja e gazit helmues për të shuar protestat kundër rrënimit që u ka bërë Rama.

E vetmja rrugë për rikthimin e shpresën në këtë vend, për të kthyer investimet, punësimin dhe mundësitë ekonomike është bashkimi me opozitën për t’i dhënë fund qeverisë së mjerimit të vendit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *