Kancelari austriak Sebbastian Kurz, bëri dje thirrje për zgjedhje të menjëhershme pas rënies së qeverisë për shkak të një skandali korrupsioni ku përfshihet zëvendëskancelari,Heinz-Christian Strache, i cili dha dorëheqjen.
Partia e Popullit e qendrës së djathtë e drejtuar nga Kurz ishte në qeverinë koalicion me Partinë e Lirisë të ekstremit të djathtë, të drejtuar nga Strache.
Presidenti i Austrisë sugjeroi që zgjedhjet të mbahen në muajin shtator, citon “BBC“.
“Ky fillim i ri duhet të ndodhë shpejt, sa më shpejt që ta lejojë Kushtetuta Federale, prandaj bëj thirrje për zgjedhje … në shtator,” tha Presidenti Alexander van der Bellen këtë të dielë.
Të shtunën, kancelari Kurz tha se kjo nuk ishte hera e parë që kishte pasur vështirësi me partinë.
“Edhe nëse nuk u shprehën publikisht në atë kohë, ka pasur shumë situata që kam gjetur të vështirë për ta gëlltitur”, tha ai. “Pas videove të djeshme, duhet të them mjaft sinqerisht: Mjaft është mjaftueshëm”.
“Pjesa serioze e kësaj videoje, është qëndrimi i abuzimit me pushtetin përmes parave të taksapaguesve përballë mediave në këtë vend”, tha Kurz, i cili shtoi se ndihej “I fyer nga pamjet”.
Zv.kancelari Strache nga ana tjetër, fajësoi alkoolin si shkaktar të veprimeve të tij dhe pranoi se veproi si një “adoleshent, sjelljen e tij e quajti prej “budallai” dhe “të papërgjegjshme” dhe se po jepte dorëheqjen për të shmangur dëmtime të mëtejshme të qeverisë.
Çfarë dimë për videon?
Një video u botua nga mediat gjermane të premten, por nuk dihet se kush e ka regjistruar atë. Në video shfaqet Strache dhe Johann Gudenus – gjithashtu një politikan i Partisë së Lirisë. Këta të dy shihen duke pirë dhe duke biseduar me një grua, e cila pretendon se është një shtetase e pasur ruse që kërkon të investojë në Austri.
Gruaja në video ofrohet për të blerë një pjesë prej 50% të gazetës austriake Kronen-Zeitung dhe të ndryshojë qëndrimin e saj redaktues për të mbështetur Partinë e Lirisë.
Në këmbim, Strache tha se ai mund t’i japë asaj kontrata publike, duke shpjeguar se ai donte të “ndërtonte një peizazh mediatik si Victor Orban”, të përshkruar nga kritikët si një udhëheqës autoritar.
Zëvendëskancelari gjithashtu spekulon se marrja e Kronen-Zeitung nga Rusia mund të rrisë mbështetjen për partinë në 34%.