Kryeqyteti i Indonezisë, Xhakarta, është përballur me kaos dhe protesta të dhunshme nga turmat e zemëruara, që u vunë flakën makinave dhe dyqaneve në rrëmujën paszgjedhore. Deri tani gjashtë persona kanë humbur jetën ndërsa më shumë se 200 të tjerë janë plagosur.
Një forcë sigurie prej 50,000 efektivësh përdori gaz lotsjellës dhe makinat me ujë për të shpërndarë turmat. Njerëzit protestojnë kundër rizgjedhjes së presidentit aktual Joko Widodo, i cili fitoi një mandat të dytë me 55.5 për qind të votave.
Rivali i tij Prabowo Subianto, një ish-komandant i forcave speciale, refuzoi të pranojë rezultatin e zgjedhjeve, duke pretenduar për mashtrim në zgjedhje, por pa dhënë asnjë dëshmi për të mbështetur këto pretendime.
Ëidodo thuhet se e mundi Subianto me 17 milionë vota, ose rreth 15 për qind të popullsisë së vendit. Subianto nga ana e tij është zotuar të kundërshtojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese të Indonezisë.
Rreth 20 persona janë arrestuar sipas zëdhënësit të Policisë Kombëtare, Dedi Prasetyo. Ekzaminimet për viktimat janë duke u zhvilluar për të përcaktuar shkakun e vdekjes për të vrarët, por ai insistoi që forcat e sigurisë, duke përfshirë disa persona ushtarakë, të vendosur për të kontrolluar dhunën, nuk ishin të armatosur me municione të vërteta.