Kryeministri Rama ka reaguar pas deklaratave të forta të presidentit Meta. Kreu i qeverisë i bën thirrje kreut të shtetit të mbrojë datën e zgjedhjeve të cilën ai sipas Kushtetutës e ka dekretuar vetë.
Ndërsa në një postim tjetër brenda pak sekondash ai shkruan se djegia e mandateve është e papranueshme ndërsa dhe pret apelin e presidentit për mbrojtjen e datës së zgjedheve.
“Padiskutim Presidenti ka të drejtë kur thotë djegia e mandateve është e papranueshme po dhe më i papranueshëm është përbetimi për të djegur zgjedhjet!S’e dimë opinionin e Presidentit për këtë dhe bashkë me kritikat e tij,mezi e presim apelin e vonuar në mbrojtje të 30 qershorit” – shkruan Rama në postimin e parë.
Ndër të tjera, në shkrimin e dytë në Twitter, Rama shkruan se Gjykata Kushtetuese është sot falë vetingut, në djep bosh pa shejtanin brenda.
“A e pengon mungesa e Gjykatës Kushtetuese Presidentin e Republikës të mbrojë datën e zgjedhjeve që sipas Kushtetutës ai e ka dekretuar? Falë Vetingut GJK është sot një djep bosh pa shejtanin brenda! Kjo është më shumë se gjysma e një pune të madhe që kërkon durimin e kohën e saj.” – shkruan Rama.
Më herët presidenti Meta tha se vendi është në krizë serioze duke theksuar se pavarësisht asaj që thuhet për suksesin e reformës në drejtësi, mungesa e Gjykatës Kushtetuese e cënon rëndë atë.
Ndërsa u bëri thirrje palëve që në mënyrë të përgjegjshme të ulen në dialog për t’i dhënë fund krizës.