Kryeministri i Kosovës, Haradinaj, ka thënë se pavarësisht heshtjes së Beogradit për krimet e luftës ndaj qytetarëve të Kosovës, qeveria dhe shoqëria nuk do lejojë që këto krime makabre të kalojnë pa u dënuar.
Haradinaj shkruan se shtet serb edhe pas 2 dekadash refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për gjenocidin ndaj shqiptarëve.
“Në 20-vjetorin e masakrës në Vushtrri, ku u ekzekutuan brenda pak orësh dhjetëra shqiptarë dhe shumë të tjerë u plagosën, Kosova e vazhdon betejën e saj për të vërtetën.
Këtë ditë, Vushtrria dhe mbarë Kosova e kanë kthyer në kujtesë institucionale, si dëshmi ndër breza se sa e vështirë ishte rruga jonë deri në liri. Shteti serb, me gjithë gjenocidin mbi shqiptarët, edhe pas dy dekadave, refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet e kryera.
Nuk do të lejojmë që masakrat më makabre në tërë Kosovën të kalojnë pa u dënuar. Kosova nuk harron! Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve.” – shkruan Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.