Italia kërkon ekstradimin e Hajri Seferit, një nga personat e përshirë në dosjen “339”. Seferi dyshohet si një nga krerët e organizatës kriminale që realizonte trafikun e drogës.
Sikurse raporton “News 24”, gjykata e Durrësit e ka shqyrtuar kërkesën e mbërritur nga Italia dhe ka vendosur ekstradimin e Seferit drejt Italisë ndonëse ky i fundit dhe avokati i tij e kanë kundërshtuar. Për momentin dosja e tij ndodhet në Gjykatën e Apelit të Durrësit, pasi avokati e ka ankimuar vendimin.
Shkak është se Seferi, i cili konsiderohet si kreu i bandës së Shijakut, po hetohet aktualisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas avokatit, përdersa ndaj tij ka një hetim të hapur nuk mund të pranohet kërkesa për ekstradim.
Nëse dhe Gjykata e Apelit vendos për ekstradim, mbetet në dorën e ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj të vendosë nëse Seferi do të ekstradohet apo jo drejt Italisë. Nëse vendoset për ekstradim të Seferit, do të kemi përsëritjen e një precedenti si në rastin e Nazer Seitit, i cili u ekstradua pavarësisht se po hetohej në Shqipëri.
Hajri Seferi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia që në vitin 2016, pas akuzave për trafik të lëndëve narkotike dhe krijim të grupit kriminal.