Ish-deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi kërkon ndalimin e zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave, që pritet të mbahen sot. Vokshi kundërshton kandidaturën e Skënder Gjinushit, i cili në fakt është i vetmi që kandidon për postin e kryetarit.
“Të ndalen zgjedhjet politike në Akademinë e Shkencave!
Më 24 Maj votohet politikisht për Akademinë e Shkencave. Ish ministri i diktaturës, Skënder Gjinushi është kandidat i vetëm, si një militant i shpërblyer për Koalicionin e “30 dritë hijeve”
të Kryeministrit!
Akademia e Shkencave është plani i fundit i Edi Ramës për ta zhgarravitur e shpërbëre Akademinë siç ka bërë me të gjitha institucionet e tjera shtetërore.
Një javë më parë urdhëroi “Bareshën” e Ministrisë të dorëzonte në Parlament platformën e kandidatit “të depolitizuar” për t’i hapur rrugë një procesi anti-kushtetues zgjedhjesh për të asgjësuar lirinë akademike.
PD u bën thirrje akademikëve të vërtetë, me kontribute të çmuara në shkencë, të mos nënshtrohen, por të ngrihen në lartësinë e detyrës së tyre, të denoncojnë e të refuzojnë këtë farsë ilegjitime, anti-kushtetuese, të gatuar në zyrën e Ramës.
Është në dinjitetin e tyre si akademikë të mbrojnë me çdo çmim autonominë dhe pavarësinë nga politika, të institucionit më të rëndësishëm shkencor në vend, për t’i hapur rrugë reformimit perëndimor të Akademisë së Shkencave!
Emërimi i ministrit të diktaturës në drejtimin e Akdemisë së Shkencave është pjesë e skenarit ogurzi të Ramës për zhdukjen e institucioneve pjesë e identitetit kombëtar shqiptar!
Partia Demokratike, e vendosur në mbrojtje të autonomisë së institucionit më të lartë shkencor në vend!”, shkruan Vokshi.
Sot 44 akademikë pritet t’i drejtohen kutisë së votimit për të zgjedhur kryesinë dhe këshillin ekzekutiv të Akademisë së Shkencave. Procesi i votimit do të jetë i fshehtë.
Kandidatët janë shpallur zyrtarisht që më 15 maj kandidatët për kryesimin e Akademisë.
Por ky proces është shoqëruar me debate, pasi i vetmi kandidat për pozicionin e kryetarit të Akademisë së Shkencave, është Akademiku Skënder Gjinushi.
Për nënkryetar kandidon akademiku Vasil Tole dhe pozicionet e Sekretarit Shkencor kandidon Salvator Bushati dhe për pozicionin e Kryetarit të Seksionit të SHNT-së akademik Neki Frashëri).
Një prej akademikëve që i ka kundërshtuar këto zgjedhje është Artan Fuga, i cili i quan të paligjshme.