Vendosni fjalën kyçe....

Pesë fotot me Kadarenë mjaftojnë, s’ka nevojë për fjalë. Veliaj i restauron shtëpinë shkrimtarit

Pesë foto me shkrimtarin Ismail Kadare mjaftojnë. Madje edhe një do të ishte e mjaftueshme që Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës të promovojë në publik vendimin e tij për ta kthyer shtëpinë e Kadaresë te “Rruga e Dibrës” në Tiranë, në një shtëpi-muze.

Kësaj here Zyra e Shtypit të Veliajt është kujdesur të shkruajë një deklaratë me fjalët e shkrimtarit dhe bashkëshortes së tij dhe ato të arkitektes. Për kryebashkiakun mjaftojnë fotot e kompozuara bukur, ku spikat ajo afër tij.

“Teksa falenderoi Bashkinë e Tiranës për realizimin e projektit, Kadare theksoi se shkrimtari nuk mund të kuptohet pa lexuesin e tij, pa gjuhën, pa kombin e pa miqtë e tij. “Në këto raste, dihet që ka ndjesi, rizgjohen emocione. Unë kam ndjenjën e mirënjohjes. Në radhë të parë, një shkrimtar nuk mund të kuptohet pa lexuesin e vet, pa gjuhën e vet, pa vendin e vet, pa kombin e vet, pa miqtë e tij dhe të kombit të tij. Ne kemi nevojë, sidomos Shqipëria ka nevojë, për një afirmim pozitiv, për besim për të ardhmen e saj, ëndërron dhe bëhet gati për të hyrë në Europë. Mua kjo më prek, që marr pjesë në këtë afirmim njohjeje të kombit shqiptar. Edhe puna juaj, e të gjithëve që kanë punuar këtu, më prek shumë, jashtëzakonisht, madje më habit. Edhe fjalët, ku e keni gjetur gjithë këtë energji për këtë”, tha shkrimtari i madh.”, njofton në deklaratën e saj Bashkia e Tiranës.

Më tej shkruan:”Mes emocioneve, bashkëshortja e shkrimtarit, Helena Kadare, shprehu mirënjohjen ndaj Bashkisë së Tiranës për këtë projekt, që synon të rrëfejë detaje nga jeta personale dhe krijimtaria e Ismail Kadaresë. “Në këtë shtëpi kemi patur kaq shumë gëzime, por edhe aq hidhërime, aq shumë sekrete, të cilat kujtoja se do të mbeteshin përjetësisht të mbyllura vetëm për ne, për familjen tonë. Befas, më mrekulloi ideja e hapjes dhe unë vij tani si vizitore. Habitem vërtetë me këtë punë jashtëzakonisht të mrekullueshme që ka bërë bashkia, bashkë me ata vajza dhe djem të rinj, me një energji fantastike. Është shumë e papritur për mua personalisht ta shikoj këtë gjë dhe për këtë punë të mrekullueshme që ka bërë arkitektja Elisabeta, me të cilën kam pasur disa takime. Shumë bukur”, tha Helena Kadare.”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *