Një numër i madh njerëzish janë lënduar dhe pesë milionë kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e tornados dhe stuhisë së fuqishme që ka përfshirë shtetet Ohio dhe Indiana në SHBA.
Shërbimi Kombëtar i Meteorologjisë ka bërë të ditur se tornadoja dhe stuhia ka shkaktuar dëme në këto dy shtete, raportoi CNN, duke njoftuar se shumë persona kanë mbetur të lënduar në qytetin e Dayton-it në Ohio.
Zyrtarët njoftuan se afërsisht pesë milionë persona kanë ngelur pa energji elektrike.
Siç njoftohet, autoritetet do të bëjnë vlerësimin e dëmeve në Celina, New Madison, Laura, Dayton dhe Laurelville.
Ndryshe, dy persona humbën jetën si pasojë e tornados dhe stuhisë së fuqishme në qytetin El Reno të Oklahoma-s në fundjavë, ku u shkaktuan dëme serioze dhe u raportua për mbi dhjetë persona të zhdukur apo të lënduar.