Vendosni fjalën kyçe....

Socialistët bashkë te Vila e Enver Hoxhës, shtrohen për zgjedhjet (FOTOT)


Ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama mblodhi deputetët socialistë. Në një kohë kur Tirana ofron shumë ambiente për të mbajtur të tilla takimesh, Rama ka zgjedhur pikërisht vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha.

Mbledhja nisi në orën 19:00 dhe zgjati për 3 orë me radhë, ku të pranishëm ishin të gjithë ata që merren me menaxhimin e fushatës elektorale, si dhe personat e përfshirë në fushën e komunikimit.

Në qendër të diskutimeve të tyre, ishin zgjedhjet e 30 qershorit.

Rama ka kërkuar nga socialistët sa më shumë takime me zgjedhësit në mënyrë që fushata të vijojë me ritme të larta. Po ashtu u diskutua dhe për përmbajtjen e fushatës dhe spoteve publicitare.

Lidhur me takimin e maxhorancës në vilën e Enverit, ka reaguar ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e ka quajtur provokacion ndaj opozitës.

 “Miq, takimi i sotëm antihistorik i narkohorrave të narkoshtetit në Vilen e diktatorit mizor Enver Hoxha, Hitlerit shqiptar të Pasluftës se Dytë Botërore është provokacioni më ulët i Edvin Kristaq Xhelatit ndaj popullit opozitar por dhe mbarë shqiptarëve”-shkruan Berisha në “Facebook”.

Më tej Berisha shkruan se ky akt duhet të përbëjë kushtrimin më të fuqishëm për shqiptarët për t’u ngritur me të gjitha mjetet për mosbindje civile për përmbysjen e klikës

“Ky akt është gjithashtu dhe kushtrimi me i fuqishëm për mbare shqiptaret te ngrihen dhe me te gjitha mjetet e mosbindjes civile te përmbysin klikën e narkoshtetit të bastardeve të xhelatëve te diktaturës hoxhiste me ne krye Edvin Kristaq Xhelatin!”-tha Berisha.

Në përfundim të mbledhjes, ndër të parët që u largua ishte pikërisht kryeministri Rama. Sikurse shihet nga fotot e mëposhtme, ai ishte i shoqëruar nga Taulant Balla dhe Gramoz Ruçi.

Rama mbante një dosje në dorë dhe pasi ka biseduar pak me disa nga eskponentët e PS-së është larguar me makinën e tij. Balla e Ruçi dhe janë larguar pas tij.

Në këtë takim u mor vendimi që fushata elektorale e PS-së të hapet zyrtarisht ditën e shtunë në orën 19:00 te Parku Olimpik.

Ndërkohë më dy qershor, kur opozita e bashkuar të protestojë kundër kryeministrit Edi Rama, ai do të jetë në Lezhë, ku do të paraqesë kandidatin e koalicionit të Aleancës për Shqipërinë Europiane, Pjerin Ndreun për Bashkinë e Lezhës./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *