Vendosni fjalën kyçe....

“Kryeministri i Letrave”- Si e nisi fushatën ku do konkurrojë me vetveten Edi Rama


Në orët e para të kësaj të shtune, kryeministri i vendit Edi Rama, zgjodhi të shkruante letrën e shtatë, pas gjashtë të tillave për Lulzim Bashën.

Targeti janë votuesit, që me gjasa po shkuan pranë kutive të votimit për këto zgjedhje vendore do të gjejnë në fletët e votimit një panoramë pak a shumë të tillë: Edi Rama që konkuron me vetveten. (Ndërkohë që pjesën më të madhe të emrave të kandidatëve për bashkitë i ka hedhur për publikun, ndërsa opozita ka vendosur të mos marrë pjesë në këto zgjedhje pas dorëzimit të mandateve parlamentare).

Por çfarë ka ndodhur sot? “Kryeministri i Letrave” ka nisur të shtatën e “specialiteteve” të tij të 2019-ës (Pas pikturave, basketbollit, e ndonjë libri pa ndikim) t’u shkruajë shqiptarëve. Pikërisht në ditën e  nisjes zyrtare të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 30 qershorit (edhe pse presidenti Ilir Meta u shpreh i gatshëm ta ndryshonte atë).

Rama u drejtohet demokratëve, duke lënë me qëllim jashtë qytetarët që votojnë parti të tjera që janë brenda opozitës së bashkuar që po ashtu nuk hyn në zgjedhje, siç është Lëvizja Socialiste për Integrim, fjala vjen.

***

Bashkëqytetarë demokratë, sot Partia Socialiste nis zyrtarisht fushatën e zgjedhjeve të 30 qershorit. Ndërsa partia të cilës ju i përkisni si anëtarë apo që e keni votuar, si mbështetës ose simpatizantë, nuk merr pjesë në këto zgjedhje. Fatkeqësisht, jo vetëm për ju po edhe për vendin, udhëheqja juaj politike ka hyrë në rrugën pa krye të frikës nga zgjedhjet, të panikut nga drejtësia dhe të kërcënimeve e të orvajtjeve të dëshpëruara, në dëm të Shqipërisë e të çdo shqiptari të interesuar për paqe sociale, zhvillim ekonomik, integrim të plotë të vendit në Bashkimin Europian.

Braktisja pa kthim e parlamentit, nxitja e dhunës, bojkotimi i zgjedhjeve, janë në thelb arratisje nga misioni, funksioni dhe korniza e vlerave të një partie demokratike. Jam sinqerisht i keqardhur për këtë. Unë nuk jam ai që ju doni të shihni në krye të vendit. Nuk më keni votuar dhe sot nuk ju kërkoj të më votoni, po thjesht shpresoj të më lexoni.”, e nis letrën e tij Rama.

Me fjali të gjata, tipike për mënyrën e tij të të shkruarit, Rama u kujton se nuk është sjellë keq gjatë protestave që kanë kryer këto kohë duke thënë që “S’është pak”.

Por nuk e mbyll me kaq, Rama ua thotë këtyre qytetarëve se sipas anketimeve që ka kryer (madje sipas tij edhe nga anketimet e miqve të tij ndërkombëtare) shumica prej tyre nuk e mbështesin “as djegien e mandateve, as dhunën e ushtruar në protesta dhe as bojkotin e zgjedhjeve nga ana e udhëheqjes suaj.” Madje Rama është i bindur se këta qytetarë nuk i pyeti kush për vendimet politike të marra tashmë.

“Zgjedhjet janë një e drejtë e panegociueshme kushtetuese e të gjithë atyre që duan të zgjedhin dhe një detyrim i pashmangshëm kushtetues i të gjithë atyre që duan të zgjidhen. Udhëheqja juaj nuk do zgjedhje, sepse i trembet një disfate elektorale të radhës. Ndërsa ne nuk e shkelim dot detyrimin, sepse duam të zgjidhemi në zgjedhjet e radhës.”, vazhdon më tej Rama, duke e vënë “gishtin në plagë”, pikërisht në pyetjen që kanë të gjithë: “A mund të bëhen zgjedhje demokratike pa opozitën?”

Dhe cila është përgjigja e pyetjes që bën? Rama modifikon pyetjen.

“Zgjedhje demokratike do të thotë që të gjithë të gëzojnë të drejtën të zgjidhen. Por nëse përjashtimi në çfarëdo forme i opozitës nga zgjedhjet i bën ato antidemokratike, vetëpërjashtimi i një partie kryesore nga zgjedhjet nuk i bën ato jodemokratike.

Prandaj unë e ngre ndryshe pyetjen: A mundet që zgjedhjet demokratike të bëhen vetëm nëse do opozita?

Imagjinoni për një moment sikur zhvillimi i zgjedhjeve në këtë vend të varet nga do apo s’do opozita të bëhen! Mendje të lehta politike e mediatike, kanë rrahur së fundmi shumë ujë në havan, lidhur me sa e tmerrshme qenka të bëhen zgjedhjet pa opozitën dhe sa e thjeshtë qenka, që të shtyhet data e zgjedhjeve meqë s’do opozita!”, thekson kryeministri.

Ai vazhdon më tej duke shkruajtur sipas logjikës së tij dhe sipas asaj që i intereson teksa shkruan “Si mund të vendoset – ku është parë? që zgjedhjet të varen nga dëshira ose mungesa e dëshirës së një pale për zhvillimin e tyre në datën e caktuar nga Kushtetuta.”

Me sa duket, Ramës, së paku publikisht nuk i pëlqen ai skenari i zgjedhjeve në vjeshtë, zgjedhje vendore e të përgjithshme bashkë. Sepse sipas tij hapet një “rrugë e tatëpjetë për demokracinë tonë nëse sot vendoset precedenti”.

Disa mendje ndër ato të lehtat që lartpërmenda i bien shkurt: Po ik ti (dmth unë) e pastaj le të bëhen bashkë, andej nga vjeshta, zgjedhjet vendore e ato të përgjithshme dhe fitoji prapë po deshe, se po vazhduam kështu vendi do shkojë në përplasje civile! Kjo është një recetë nga ato që heqin dhimbjen e kokës duke e paralizuar komplet trupin! Imagjinojeni pak çfarë rruge e tatëpjetë hapet për demokracinë tonë nesër, nëse sot vendoset precedenti që mjafton të ikësh nga parlamenti, të ushtrosh dhunë e të kërcënosh me moslejim të zgjedhjeve lokale dhe e përmbys, mu në mes të mandatit qeverinë e zgjedhur – duke provokuar zgjedhje të reja kur do ti, madje me kryeministrin që vendos ti!”, shprehet më tej.

Sipas Ramës, ashtu siç e ka shprehur më parë në retorikën e tij (informacione që nuk dihet se ku i ka marrë, sepse është i sigurtë që kushdo që do prishë zgjedhjet nuk do shkelte më në SHBA dhe BE, megjithse Holanda, për shembull po kërkon ndalimin e hyrjes së të gjithë shqiptarëve në vendin e saj) është krim moslejimi i zgjedhjeve: “Eshtë krim dhe ndëshkohet rëndë nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, kushdo që e kryen një krim të tillë. Po jo vetëm kaq, cilido që do të kuturisej të prekte një hallkë të vetme të procesit zgjedhor dhe do të dënohej më pas për krime zgjedhore në Shqipëri, nuk do ta kishte më të mundur të shkelte për gjithë jetën në Shtetet e Bashkuara (do të merrte në qafë edhe familjarët e afërt sipas ligjit përkatës në SHBA) dhe as do të kalonte dot më, kontrollin e kufijve të Bashkimit Europian duke u përfshirë në listën e kompjuterizuar të personave me rekorde kriminale, të cilët nuk hyjnë dot në territorin e Unionit.”

Në fund, entuziast, Rama “do të bëjë më të mirën për bashkitë” pavarësisht nëse qytetarëve që ju drejtohet do dalin apo jo në votime duke e mbyllur letrën e tij, hedhur në “Facebook” me fjalët:

“Në 30 qershor do të votohet në të 61 bashkitë e vendit. Ne do të bëjmë më të mirën për t’i dhënë Kukësit, Shkodrës, Kamzës, Lezhës, Devollit, Mallakastrës e me radhë bashkive blu, qeverisjen e munguar deri më sot, pavarësisht nëse ju do të dilni apo jo në votime. Kudo ku do të fitojmë aty ku kemi kundërshtarë të regjistruar, njësoj si aty ku s’kemi të tillë, ne do të jemi në dispozicion të të gjithë qytetarëve pa dallim…

Me respekt të plotë për të drejtën tuaj për të menduar ndryshe prej meje, ju përshëndes e ju uroj çdo të mirë e shëndet në familjet tuaja. Edi Rama”

Nuk dihet nëse pas kësaj letre do të mbajë ndonjë koncert, të filmuar me dron, me karrige që lëvizin nga një qytet në tjetrin, për të hapur “One Man Show”-n të titulluar “PS30”. /V.G-Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *