Nga Kai Weiss
Zgjedhjet evropiane më në fund mbaruan, votat janë numëruar (në pjesën më të madhe, të paktën). Këto zgjedhje kanë pasur vëmendjen më të madhe në krahasim me të mëparëshmet sepse vota vendimtare do të ndikonte shumë mbi të ardhmen e Bashkimit Evropian. Mediat e quajtën “Beteja për Evropën,” në mënyrë të ekzagjeruar, midis atyre në favor të një Evrope federale dhe të bashkuar — pra një BE më të fortë dhe të centralizuar — dhe atyre skeptikëve.
Çfarë ndodhi në fund? Le të hedhim një vështrim në pesë aspekte, tashmë që gjithë procesi ka përfunduar.
1.Beteja pa asnjë të humbur.
Siç rezultoi, “Beteja për Evropën” përfundoi me një barazim. Edhe federalistët edhe euroskeptikët ishin në gjendje të fitonin shumë në krahasim me partitë e vjetra. Grupi ALDE, të cilët janë mbrojtësit më të zjarrtë të një “Bashkimi Evropian gjithnjë e më të bashkuar,” kanë rritur vendet e tyre nga 67 në 111. Pjesërisht, kjo ndodhi edhe për shkak të Emmanuel Macron-it, i cili humbi ndaj Marine Le Pen me 1%, por përsëri do të dërgojë 20 anëtarë të partisë së tij në Parlamentin Europian.
Njësoj, euroskeptikët, nëse i përkufizojmë ata si një grup të vetëm, patën rezultat të mirë. Kemi dëgjuar për Le Pen, partia e së cilës është në vendin e parë në Francë. Gjithashtu e para ka dalë edhe Lega e Matteo Salvinit në Itali, Ligji dhe Drejtësia në Poloni, Fidesz i Viktor Orbanit në Hungari dhe Partia e Brexit e Nigel Farage në Britaninë e Madhe. Politico ka projektuar se grupi i tyre do të arrijë deri në 235 vende nga 751.
2.Politikat në lidhje me ndryshimet klimaterike.
Një tjetër fitues i këtyre zgjedhjeve ishte Partia e Gjelbër. Ndryshimi i klimës ka qenë një çështje kryesore në axhendën politike perëndimore.
Zgjedhjet evropiane tregojnë se kjo çështje mund të qëndrojë më gjatë. Në Gjermani, Partia e Gjelbër fitoi mbi 20% dhe, në disa vende të tjera evropiane veriperëndimore të gjelbrit dolën më mirë se sa pritej. Në të njëjtën kohë, rinia evropiane thotë se ndryshimi i klimës është çështja më e rëndësishme për ta.
Duke gjykuar nga kërkesa e vendosur e të rinjve, ndryshimi klimaterik mund të mbetet një çështje me rëndësi për shumë kohë. Dhe deri më tani, në thelb, janë vetëm palët e gjelbra që me të vërtetë e kanë marrë seriozisht.
3. Njerëzit janë lodhur nga të njëjtat fytyra të vjetra…
Ndërkohë që euroskeptikët, të gjelbrit dhe federalistët kanë fituar shumë në këto zgjedhje, humbësit janë dy partitë klasike: Partitë Popullore të qendrës së djathtë (EPP) dhe Social Demokratët e majtë. Këto dy grupe kanë dominuar Brukselin për vite e vite të tëra.
Të dy humbën shumë të dielën, nuk arritën dot një mazhorancë. Kjo tregon qartë se evropianët janë të lodhur me atë që ka bërë elita e Brukselit — për arsye të ndryshme, natyrisht: disa mendojnë se nuk e kanë mbrojtur BE-në dhe po e shtyjnë më shumë procesin e integrimin, të tjerë mendojnë se po bëjnë edhe më shumë shumë tani. Gjithsesi, kjo ka bërë që EPP dhe S&D të humbasin shumë vota.
4…por alternativat nuk janë shumë të mira.
Nuk është e qartë nëse alternativat janë vërtet më të mira. Federalistët pranë ALDE mund ta quajnë veten “liberalë,” por në nivelin e BE, ata mund të jenë gjithçka tjetër përveç se liberalë. Kërkesa e tyre për një Evropë më të centralizuar kundërshton emërtimin e tyre “liberal.”
Të Gjelbrit, ndërkohë, mund të mendojnë se ndryshimet klimatike mund të justifikojnë çdo veprim nga qeveria për sa kohë që politikat mbrojnë planetin — duke përfshirë papunësinë në masë dhe rënien ekonomike. Dhe akoma, a ka të drejtë qeveria që të ndërmarrë të tilla politika mjedisore? Shtetet e fuqishme të shekullit të kaluar na kanë treguar të kundërtën. Sipërmarrësit mund ta zgjidhin krizën shumë më mirë kur e kanë në dorë vetë.
Së fundmi, euroskeptikët, pavarësisht se janë të ndryshëm nga njëri-tjetri, ende kanë tendencë të jenë në favor të më shumë pushteti tek pakica — pakica janë vetë, natyrisht. Rastet si Hungaria, Polonia dhe Italia — domethënë vendet ku këto lëvizje janë në pushtet — kanë treguar një mosrespektim, nganjëherë tronditës, për institucionet dhe parimet liberale si: sundimi i ligjit, sistemi gjyqësor i pavarur, liria e shtypit dhe të drejtat themelore ekonomike. Në rastin e Italisë, për shembull, euroskeptikët lokalë kanë propozuar gjithashtu reforma të cilat nuk janë fiskalisht të përgjegjshme.
5. Beteja e parë e luftës.
Pra, ku qëndrojmë? Në fund, kjo është vetëm beteja e parë e luftës më të madhe, e cila do të zhvillohet gjatë muajve dhe viteve të ardhshme. Së pari, do të bëhet në lidhje me ndarjen e posteve më të rëndësishme në BE, nga Presidenti i Komisionit Evropian e deri tek Presidenti i Parlamentit, Presidenti i Këshillit, si dhe Banka Qendrore Evropiane. Do të ketë të bëjë me ndryshimet në grupet e Parlamentit dhe, kësisoj, ndryshimet e mundshme në balancën e pushtetit. Përtej kësaj, kjo ishte pjesa e parë në mënyrën se si do të jenë sfidat e ardhshme — nga financat e BE-së, politikat e taksave, emigracioni, mbrojtja, Brexit, ndryshimi i klimës dhe, kush e di, probleme të reja ekonomike të mundshme.
Mospërputhja, fragmentimi, ku status quo humbet dhe forcat e tjera me ide krejtësisht të kundërta, të gjithë fitojnë njëkohësisht, tregon se Evropa është një kontinent polarizimi sot. Për të gjetur një mënyrë për të dalë nga kjo dhe për të sjellë njerëz që kanë pikëpamje diametralisht të kundërta në një shoqëri shumë të politizuar, mund të jetë sfida më e madhe e të gjithëve.
VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e “Democracia.co”
Kai Weiss është analist në Qendrën Ekonomike Austriake dhe anëtar i bordit të Institutit Hayek. Ky artikull është publikuar për herë të parë në portalin AustrianCenter.com dhe është ribotuar në shqip nga Demokracia.co me lejën e plotë të autorit.