Vendosni fjalën kyçe....

Përgjimet e Bild, reagon Dako: Nuk kam asnjë koment, janë absurde


Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka reaguar pas publikimit të audiopërgjimeve te gazeta gjermane Bild.

Sipas tij, përgjimet janë absurde, pasi si kryetar bashkie do t’ia hap telefonin çdo qytetari.

I pashë dhe i dëgjova përgjimet. Për mua janë diçka absurde, sepse unë jam kryetar bashkie dhe telefonin do t’ia hap çdo qytetari. Nuk kam asnjë koment. Kjo është çështje mediatike”, shprehet Dako për Ora News.

Nga ana tjetër ka pasur edhe reagime nga mazhoranca të cilët kërkuan të hetohen prokurorët që nxorrën përgjimet.

Edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda menjëherë nisi verifikimet për të zbuluar rrethanat e daljes së sekretit hetimor të përgjimeve audio.

Vetë deputeti i PS-së Ulsi Manja deklaroi se prokuroria duhet të zbardhë se cilët janë pëgjegjësit që publikuan përgjimet.

Jam këtu i shqetësuar për dy gjëra, e para është koha që prokuroria dhe policia gjyqësore të vlerësojnë seriozisht çështjet e daljes në publik të sekretit hetimor dhe të kthehen në hullitë e ligjit për procedim penal, jo vetëm për dosjet 339, por për të hetuar të gjithë ato prokurorë që në mënyrë të verbër kanë braktisur dhe i kanë marrë i kanë çuar dosjet në zyrat e PD-së, duke thyer rëndë sekretin hetimor.

Kjo është e dënueshme sipas kodit Penale, është detyrë e Prokurorisë të hetojë, jo vetëm autorët e përfshirë në veprat penale, por edhe brenda radhëve të veta, sepse koha për t’u ndarë nga prokurorë e oficerë të tillë është sot, për të cilën ne kemi bërë reformën në drejtësi”-deklaroi Manja.

Manja u pyet pse duhet të vazhdojë Elton Arbana kandidimin për bashkinë e Shijakut Manja u shpreh se “do të ishte mohimi i një të drejte kushtetuese që ka të bëjë me të drejtën për t’u zgjedhur apo për të zgjedhur pa një vendim të autoriteteve gjyqësore”.

Komisioni parlamentar i Ligjeve pas publikimit të përgjimeve ka reaguar menjëherë duke futur në shqyrtim Rezolutën mbi raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme. Nxjerrja e sekretit hetimor është cilësuar si skandaloze nga deputetët e PS-së gjatë kësaj mbledhje.

Ka qenë deputeti i PS-së, Bashkim Fino që ka kërkuar futjen në rend ditë të rezolutës së Kuvendit, ndërsa ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka deklaruar se “hetimet proaktive janë pika të dobëta të Prokurorisë”.

Disa çështje janë zvarritur dhe keqpërdorur. Ekziston tensioni dhe vëmendje për akuzat e vendeve të tjera për gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri. Prokroria s’mund të rrijë inaktive sepse është përgjegjëse”-ka thënë Xhafaj.

Nxjerrja e sekretit hetimor është dënuar edhe nga deputeti i PS-së, Spartak Braho, i cili kërkoi që personat përgjegjës të vihen para drejtësisë. Socialistët kanë amenduar rezolutën, duke përfshirë pikërisht çështjen e luftës ndaj nxjerrjes së sekretit hetimor. Rezoluta pati dy vota kundër nga deputetët e opozitës, Korab Lita dhe Adriatik Alimadhi.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *