Presidenti Meta ka shtyrë datën e zgjedhjeve duke shfuqizuar dekretin e datës 11 nëntor 2018.
Kreu i shtetit thekson se arsyet që e shtynë në këtë vendim është mosreflektimi i asnjërës palë për situatën kritike në vend.
Meta thekson se është nevoja për ç’tensionimin e situatës pasi ekziston rreziku i përshkallëzimit të paparashikueshëm në vend.
Kreu i shtetit deklaron se rëndësi ka mbrojtja e parimeve kushtetuese që prevalojnë mbi afatet ligjore.
Në argumentimin e tij Meta thotë se është i vetëdijshëm se kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve tëë vërteta, demokratike e përfaqësuese dhe se zgjedhjet e lira e të ndershme janë kriteri kryesor për integrimin e vendit.
Në fund Meta u bën thirrje drejtuesve të pozitës dhe opozitës që të ulen urgjent në dialog politik për zgjidhjen e shpejtë të krizës si dhe kërkon që protesta e sotme të jetë paqësore.
Deklarata e plotë e presidentit Meta
- Me shqetësimin e thellë për situatën kritike të krijuar në vend si pasojë e mos-reflektimit të asnjërës palë;
- Duke patur parasysh domosdoshmërinë e çtensionimit urgjent të situatës dhe të rrezikut të përshkallëzimit të paparashikueshëm të konfliktit në vend;
- Duke marrë përgjegjësinë e lartë kushtetuese e institucionale, dhe i bindur se mbrojtja e parimeve kushtetuese është më e rëndësishme se çdo afat ligjor, si Kreu i Shtetit dhe duke iu përmbajtur betimit për t’i shërbyer ruajtjes me çdo kusht të stabilitetit, paqes sociale dhe unitetit kombëtar;
- Me vetëdije të plotë se kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kriter kryesor i Kopenhagës dhe në kushtet aktuale, për mungesë përgjegjësie të të dy palëve, po shkojmë drejt votimeve një partiake. Në këtë mënyrë minohet çdo mundësi për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, dëmtohet imazhi si vend anëtar i NATO-s dhe cenohet kryesimi i OSBE-në për vitin 2020;
- Duke ftuar të gjithë aktorët e përgjegjshëm vendas dhe ndërkombëtarë të bashkojnë kontributet konstruktive për rivendosjen urgjent të dialogut të pazëvendësueshëm politik dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë dhe që i shërben të ardhmes evropiane të Shqipërisë;
Kam vendosur të shfuqizoj Dekretin nr.10928, datë 05.11.2018 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019.
Në komunikimin e parë ditën e hënë, datë 10 qershor, në mëngjes, Institucioni i Presidentit të Republikës do të bëjë publikisht me dije të gjithë argumentat shteruese kushtetues, ligjorë dhe logjikë që çuan në marrjen e këtij vendimi.
U bëj thirrje udhëheqësve të opozitës që protesta e sotme të zhvillohet në mënyrë tërësisht paqësore, larg çdo akti dhune.
Njëkohësisht u tërheq vëmendjen të gjitha palëve që të shmangin çdo provokim që mund të shfaqet gjatë protestës.
Shqipëria e para!
Shqipëria si gjithë Evropa!