Vendosni fjalën kyçe....

SHBA pezullon tarifat tregtare ndaj Meksikës


Presidenti Donald Trump ka pezulluar planet për t’i vënë tarifa Meksikës, duke thënë se autoritetet meksikane janë zotuar të marrin “masa të forta” për të ndalur dyndjen e imigrantëve nga Amerika Qendrore drejt Shteteve të Bashkuara. Tarifat do të hynin në zbatim të hënën. Presidenti e njoftoi vendimin mbrëmë, pas kthimit nga udhëtimi në Evropë, raporton Zëri i Amerikës.

Në një deklaratë të përbashkët me Departamentin e Shtetit thuhet se Shtetet e Bashkuara “do të zgjerojnë menjëherë” një program për kthimin në Meksikë të azil-kërkuesve, ndërkohë që merren në shqyrtim kërkesat e tyre për azil. Meksika, thuhet në deklaratë, do t’u ofrojë atyre “punë, kujdes shëndetësor dhe arsim” në bazë të marrëveshjes.

Sipas njoftimit të administratës, Meksika ka rënë dakord të marrë “hapa të pashembullt” përshirë dislokimin e forcave të Gardës Kombëtare, sidomos në kufi me Guatemalën, për të forcuar zbatimin e rendit, në mënyrë që të kufizohet vala e imigrantëve.

Presidenti i Meksikës e përshëndeti njoftimin duke ftuar meksikanët të festojnë sot në Tihuana, një qytet në kufi me Shtetet e Bashkuara.

Për momentin marrëveshja eliminon kërcënimin për tarifa ndëshkuese ndaj importeve nga Meksika. Masat ishin kritikuar nga vetë republikanët si të dëmshme për ekonominë, duke rritur çmimet mbi mallra konsumi dhe duke kërcënuar një marrëveshje tregtare mes tre partnerëve të Amerikës së Veriut.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *