Kryeministri Edi Rama ka kërkuar një takim me ambasadorët. Mësohet se ky takim do të mbahet në orën 10:00, tek zyrat e BE-së.
Këtë takim kryeministri e ka kërkuar pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PS-së dhe pas deklaratës së presidentit të Republikës Ilir Meta, i cili dha arsyet për shtyrjen e datës së zgjedhjeve në një afat të pacaktuar, deri kur palët politikë të arrijnë në marrëveshje dhe t’i jepet fund krizës politike.
Meta e firmosi dekretin për anulimin e zgjedhjeve lokale, live para kamerave dhe rrjedhimisht para gjithë shqiptarëve. Kujtojmë se ditën e djeshme Rama deklaroi se Meta kishte “humbur të gjitha të drejtat e tij për të qenë president” pas vendimit të tij për shtyrjen e zgjedhjeve, duke nënkuptuar shkarkimin e tij.
Mirëpo për shkarkimin e Presidentit, Kushtetuta parashikon që vendimi duhet të merret nga më shumë se 2/4 e Kuvendit në rast të shkeljes së kushtetutës e të ligjit nga kreu i shtetit, dhe Gjykata Kushtetuese është ajo që vendos të bëjë ose jo shkarkimin. Por në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, kjo s’ka si të ndodhë.