Vendosni fjalën kyçe....

“Data e zgjedhjeve punë e brendshme e Shqipërisë, presidenti çështje e Parlamentit dhe Gjykatës Kushtetuese” – Borchardt


Kreu i OSBE-së në Tiranë, Borchardt, ka deklaruar se çështja e datës së zgjedhjeve lokale është çështje e brendshme e Shqipërisë.

Gjatë një veprimtarie ku mori pjesë në Liceun Artistik në Tiranë, ai tha se ka besim se institucionet shqiptare do të arrijnë të gjejnë një vendim të mençur lidhur me argumentet ligjore.

“Kryetari i Radhës i OSBE-së bëri një deklaratë shumë të qartë për këtë javën e shkuar. Ai tha se vendosja e datës së zgjedhjeve është çështje e brendshme e Shqipërisë. Tani, është çështje e debatit të brendshëm. Kam besimin se institucionet shqiptare do të gjejnë një vendim të mençur se cila palë ka argumentin më të mirë ligjor.” – tha Borchardt.

I pyetur nga gazetarët, kreu i OSBE-së, tha se komuniteti ndërkombëtar kërkon dialog për zgjidhjen e krizës duke paralajmëruar krerët e opozitës së bashkuar për dhunën që mund të ketë në protestat e ardhshme të saj.

“I tërë komunitetit ndërkombëtar e ka deklaruar qartë se protestat dhe demonstratat janë një e drejtë demokratike; trazirat dhe dhuna zhvlerësojnë përgjegjësit e tyre dhe përgjegjës janë organizuesit. Ata janë përgjegjës për dhunën e organizuar.” – shtoi kreu i OSBE-së.

I pyetur për shkarkimi e presidentit nga mazhoranca, Borchardt tha se ky vendim u takon institucioneve shqiptare, Parlamentit dhe Gjykatës Kushtetuese duke theksuar se bëhet fjalë për një çështje ligjore shumë të ndërlikuar.

“Vendimi u takon institucioneve shqiptare. Kjo është një çështje e parlamentit dhe, më pas, e Gjykatës Kushtetuese. Sikurse thashë, institucionet shqiptare duhet të marrin një vendim për këtë për zgjedhjet e qershorit. Këto janë çështje ligjore shumë, shumë të ndërlikuara, për të cilat ka shumë pikëpamje. Do ta shohim se çdo të ndodhë.” – mbylli Borchardt.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *