Vendosni fjalën kyçe....

INTERVISTA E PLOTË – Anti-sorosiani Altin Goxhaj përballë Adi Krastës


Nuk ndodh shpesh ta shohësh Altin Goxhajn në ekranet e televizioneve kryesore të vendit. Duket sikur ka një marrëveshje të pashkruar për përjashtimin e tij. Duhet të ketë armiq të fuqishëm Goxhaj.  Mirëpo dhe Adi Krasta është një lloj përjashtimi në vetvete, Goxhaj u shfaq në një intervistë përballë Krastës në A-Show, në një intervistë që duket se shkaktoi shumë pakënaqësi në disa vatra mediatike, apo politike, për shkak se personi që po intervistohej ishte Goxhaj.

Pikërisht për shkak të këtyre pakënaqësive dhe tentativave për censurë ndaj Goxhajt, Hashtag.al vendosi të publikojë të zbardhur dhe të plotë intervistën e tij, në mënyrë që ata që mund të jenë shqetësuar për daljen televizive të Goxhajt dje, sot le të marrin dhe variantin e shkruar të intervistës së tij.

 

Krasta: Altin Goxhaj përshëndetje! Mirë se erdhe në studio!

Goxhaj: Të falenderoj shumë për ftesën.

Krasta: Pyetja e parë që do shtrohet sot në gjithë studiot televizive besoj  se është: A ishte kushtetues veprimi i presidentit Meta?

Goxhaj: Këtë përgjigje ta jep vetëm Gjykata Kushtetuese. Që do të thotë, si jurist askush s’ka të drejtë të gjykojë nëse është kushtetues apo jo, në termin final, një veprim që nuk e gjykon të tillë Gjykata Kushtetuese. Vetëm Gjykata Kushtetuese ka tagrin që kur ka diskutime nëse është kushtetues ose jo, të gjykohet.

Krasta: Ne jemi këtu në një situatë ngërçi, tipik juridik. Domethënë, gjykata Kushtetuese nuk ekziston, nuk mund të thotë njeri nëse është apo s’është. Ndërkohë, zonja Spiropali tha sot ‘Ne kemi filluar procedurat’ dhe ditën e enjte mund të fillojë nga një debat në një vendim për shkarkimin e presidentit. Sipas analizës tënde, jo sipas shikimit të filxhanit, ti mendon se ata do ta bëjnë shkarkimin e presidentit Meta apo kjo është vetëm një e folur retorike?

Goxhaj: Fjala ‘shkarkim’ është si puna e armës kur fut fishekun dhe e shkrep. Ata mund ta fusin fishekun, që domethënë procedurat në Parlament, por me e shkrep duhet Gjykatë Kushtetuese.

Krasta: Prapë?

Goxhaj: Prapë sepse Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton qartë: Parlamenti nëqoftëse i bën 3/5 e votave dhe ka gjetur shkakun e duhur, mund të fillojë procedurën e shkarkimit. Të votojë për shkarkim pra, por quhet fillim procedure. Që ky vendim të marrë formë, pra të quhet vendim, duhet që të mblidhet Gjykata Kushtetuese. Pra më kuptove? E fusin fishekun, por s’e shkrepin dot. Ja u ka marrë Gjykata Kushtetuese.

Krasta: Dhe këtu vijmë në motërzimet e konspiracionit, që në një ambient si Shqipëria, si Ballkani, shoqërohen në jetën e përditshme, mbushin tavolinat, ndoshta stacionet televizive. Pyetja ime është: Sipas analizës tënde, presidenti i Republikës Meta e ka bërë këtë veprim në një bashkërendim me kreun e opozitës Basha?

Goxhaj: E kam deklaruar dje, vazhdoj ta them. Duket qartazi që s’ka aspak koordinim. Lëvizja e Metës i ka këputur në mes të gjithë. Ç’do të thotë i ka këputur në mes të gjithë? Askush nuk e priste një lëvizje kaq radikale, kaq të fortë, po t’i referohemi faktit që vetëm partitë e vogla, kanë shkuar dhe ia kanë kërkuar Metës një gjë të tillë, kohë më përpara. Por jo opozita, pra PD-LSI. Disa parti të tjera.

E dyta, Meta ka kohë që diskuton. Por, jo në Shqipëri. Në Amerikë dhe në Gjermani. Dhe lëvizjet e tij të fundit, të dy javëve të fundit, tregojnë, një axhendë shumë intensive të Metës, të paqartë, për shkaqe të tjera. Dmth një axhendë shkon në Amerikë, shkon në Gjermani, se për çfarë…

Krasta: Domethënë ti nuk e beson këtë llogjikën që thonë të huajt që ‘ne nuk do të merremi më me këto punë, ju duhet ta zgjidhni vetë’?

Goxhaj: Dëgjo, këta që janë të huajt e Shqipërisë, janë të huajt e shqipërisë dhe jo të huajt e huajve. Po ta shohësh gjithë enturazhin, që nga zv.ambasadorja amerikane, ajo është enturazh i mbetur i asaj që quhet shteti Obamist. Ju e dini që “Twitter”-i i zv.ambasadores amerikane ka 45 postime anti-Trump, brenda 2 vjetësh. Ajo i përket linjës së saj. Vazhdon rrugën e saj. Nëse i referohemi Borchard, ai është kapur me presh në dorë në vitin 2009 duke bërë fushatën e G99-ës dhe Erion Velisë, kur ishte ambasador i Gjermanisë në Shqipëri.

Nëse i referohemi Sorecës, kush e loboi atë? Soreca nuk ishte ai që është sot, u bë rrugës nga lobimet që pati, që ishte Mogherini. Ajo u bë sebepi që erdhi. I njëjti Sorecë, po të ndryshojë establishmenti në BE, do mbajë një qëndrim tjetër. Soreca është më tepër një zëdhënës, i lobeve të stablishmentit të BE-së.

I referohemi ambasadës gjermane? Nuk është e vërtetë që ambasada gjermane ka të njëjtin qëndrim me partinë CDU që është në pushtet. Duket qartë nga reagimet e saj. Që do të thotë, ngado që ta rrotullosh, t’i lëmë të quhen të huajt e Shqipërisë.
Pse i quaj të huajt e Shqipërisë? Të gjithë këta janë pjesë e një historie shumë të gjatë bashkëpunimi, të një network-u të madh që ka bashkëpunuar në Shqipëri. Këta kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, të gjithë bashkë. Këta janë pjesë e një loje.

Krasta: Më fal, unë e di që ti do mbërrish atje ku të shkon gjuha. Të jem i ndershëm, Sorosi kurrë nuk ka patur interes dhe dëshirë të bashkëpunonte me mua.

Goxhaj: E ke pyetur veten përse?

Krasta: … dhe unë as dijeni nuk kam patur që Soros ekzistonte në Shqipëri. Unë nuk e kuptoj këtë pasion që ke ti për të hapur një perde që praktikisht qëndron përpara Sorosit. Ti thua jam anti Sorosist dhe në fakt është shumë për të qenë anti-diçka.

Goxhaj: Kur më pyesin mua “çfare je”, anti-Sorosist u them. E them hapur. Biles jam një ndër themeluesit e Lëvizjes anti-Soros në Shqipëri. Kam edhe disa faqe që quhen anti-soros TV, tjetra quhet Lëvizja anti-Soros. Jam i hapur fare në këtë pikë. Edhe grupi më i madh që administroj në “Facebook” me nja 25 mijë veta, quhet grupi antiestablishment, anti-Soros.

Krasta: Në fillimet e veta, Sorosi ishte personazh interesant, liberal, i botës le të themi 50-60 viteve të fundit. Duhet të ketë pasur një interes xhenuin për demokracinë në Shqipëri, apo ka qenë që në fillim. Të pyes ty se po nuk e dite ti, pastaj unë do ngelem në injorancën time.

Goxhaj: Mbase unë di më shumë se Andi Dobrushi, drejtor i Sorosit. Se është i ri ai, unë jam më i vjetër (qesh).

Krasta: Ai “twisti” ka ndodhur rrugës apo…? Ku qëndron këtu konspiracioni? Ma thuaj mua, unë jam publiku yt i vetëm sot.

Goxhaj: Do të citoj shkrimin që unë kam bërë në vitin 1994, “Çfarë është George Soros” është titulli. E kam nxjerrë dhe në “Facebook”. E kam bërë që në 1994. Pyesja a është bamirës? Jo, e vërtetova pse nuk ishte. Është Nënë Terëza? Jo e jo. Është biznesmen? Jo mo se s’ka kuptim ky investimi tek truri thoja. Po çfarë është ky njeri? Dhe thoja ka dy alternativa? Ky që investon aq fort, ose mund të rilindë një komb, ose mund ta shkatërrojë totalisht atë. Dhe pyetja që kam bërë unë në ’94-ën, mori përgjigje rrugës, ndër vite.

Unë kam qenë anëtar i një bordi të Sorosit, kishte 7 borde në atë kohë. Quhej bordi i Shoqërisë Civile, kam ndenjur 2 vjet e gjysmë dhe dhashë dorëheqjen. Më bënë namin, mos e jep më thanë. I thashë e jap dorëheqjen sepse ju keni një axhendë për të shkatërruar shoqërinë civile.

Në trurin tim në vitin 2003, kur e dhashë nuk më shkonte mendja që do arrinte puna deri këtu. Por që ishte e qartë ajo që bëra dhe ajo që pashë ishte e vërtetë.

Ata kishin një axhendë për të shkatërruar totalisht shoqërinë civile. Në fillim kapën median, pastaj shoqërinë civile, pastaj hynë në politikë me Edi Ramën, pastaj futën Erion Veliajn për ta lançuar Edi Ramën nga administrator bashkie në një kryetar partie. Dhe pastaj erdhën në pushtet. Madje, madje, edhe Lul Basha që fitoi zgjedhjet në 2011 në Bashkinë e Tiranës, u mbështet shumë nga Sorosi për të kapur Partinë Demokratike në 2013-ën, sepse po të mos bëhej kryetar bashkie, nuk e kapte dot Partinë Demokratike. Koncepti im është që: Në Shqipëri ekziston një network i madh, që përfshin mediat, shoqërinë civile, politikën, biznesin dhe ata kanë një axhendë. Një axhendë që financohet nga Sorosi në Amerikë në një institut që bën gjithë politikën e Shqipërisë që e ka themeluar Socratis Kokkalis.

Krasta: Le të supozojmë në një moment atë që quhet “The Bigger Picture”, por në fakt nuk ndjen ti që di një të vërtetë që njerëzit nuk janë shumë të aftë, ose të dashur për ta pranuar e për ta kuptuar? Ti e ke ndjerë veten që ti di një gjë, por nuk i bind dot njerëzit?

Goxhaj: Gjithmonë, unë kam nje jetë kështu. Unë kam gjithë jetën që përpiqem të bëj njeriun që u thotë një të vërtetë dhe shkalla e vështirësisë është aq ekstreme sa mund të them që ti ke përballë një person që ka 18 gjyqe dhe kallëzime penale nga ky network, nga ky grup njerëzish.

Njeh ndonjë ti, ndonjë kriminel po edhe mund ta njohësh, por unë s’i kam për çështje krimi. I kam për çështje lirie fjale.

Krasta: Dhe si kanë shkuar, si ka qenë dinamika e këtyre gjyqeve?

Goxhaj: Një gjyq kam pranuar ta humbas me qejf, me Erion Veliajn. Sepse në vendimin e  gjyqit thuhej: “Erion Veliaj i humbi zgjedhjet në 2009-ën prej Altin Goxhajt.” Për 3 milion lekë nuk mund të humbisja një dekoratë jete. Më beso për këtë që them.

Krasta: Nëse ty do të të thonë “Këtë batutën e ke apo jo personale me këta njerëz?”, si do ti ishe përgjigjur?

Goxhaj: Personal gjykon vetëm Zoti, pika e parë. Po unë do ju bëja një pyetje juve. Deri në 2013-ën unë kisha një stil të caktuar jetese. Unë kam që në 2013-ën që hap kompjuterin në mëngjes dhe e mbyll kur të më zërë gjumi. Vetëm punoj që të bëj atë që quhet “opozitë”. Kaq i çmend të jem sa për një inat me Erion Veliajn, unë të shkatërroj gjithë mënyrën si jetoj. Të kem 18 gjyqe, të rri të merrem me bankat, me lloj lloj problemesh? Jo, do isha i çmendur fare. Nuk e pranoj që jam i çmend, sepse jam një ndër avokatët që bashkë me Erald Agën që kemi hap një zyrë, që jemi nga më të suksesshmit në përballjen me qeverinë në Shqipëri.

Mos harro që jemi të vetmit që kemi një gjyq, të fituar ndaj Erion Veliajt. Kemi bllokuar impiantin e gazit, të asfaltit.

Krasta: Më jep një kuriozitet personal, meqenëse ti ditke gjëra. Më thuaj, çfarë di ti në lidhje me vendimin e ISCID-it në raport me gjyqin e Becchetit?

Goxhaj: Unë e kam deklaruar në vitin 2015, tek Sonila Meço te Agon Channel, që do ta fitojë Beccheti për dy arsye:

E para sepse vendimi që ka marrë qeveria është qartazi i humbur nga ajo mënyrë si ka vepruar. Pra, më të trashë veprim se aq nuk mund të gjendet dot kurrë në asnjë rast në botë.

E dyta sepse Beccheti është shmangur nga Shqipëria dhe ka ikur jashtë në OKB. Dhe gjykata Europiane është pjesë e juridiksionit të OKB-së, që do të thotë se nuk kishte asnjë influencë nga brenda që ta humbiste gjyqin. Se këtu në Shqipëri është ndryshe.

Të jap një kuriozitet se e ke për emision, asnjë s’e di. Në Gjykatën Administrative të Apelit, gjyqet bëhen nga 5 minuta. E përsëris: 5 minuta! Mijëra gjyqe.
Ja kemi çuar prokurorisë si kallëzim penal dhe Prokuroria ka thënë: Atë punë e di gjykata. Sepse gjykata ka thënë, po nga 5 minuta i bëjmë gjyqet ne. E pranojnë.  Këtu ka përfunduar Shqipëria në sistem drejtësie.
A do të fitonte Beccheti këtu po të ishte? Jo. Ku do e fitonte? Jashtë shtetit. Do e fitonte se s’bën po unë s’kam hallin e Becchetit se asgjë s’janë 140 milionë. E di çdo të thotë, miliarda që mund t’i marrin ata nesër me vendimet e gabuara që mund të marrin qeveritë shqiptare, në raport me këto koncensione që kanë kapur Shqipërinë. Psh, miliarda euro që janë në Shqipëri koncensione.

E zëmë doli një qeveri dhe i bllokoi të gjitha. Do paguajnë miliarda se janë të gjitha të mbrojtura jashtë shtetit. Që do të thotë se problemi nuk qëndron thjesht me shku në gjykatë dhe me i bllokuar. Duhet kapur panorama më gjerë. Dhe unë panoramën më të gjerë që njoh është axhenda për rrënimin, falimentimin dhe shpopullimin e Shqipërisë.
Që prodhoi në 2017-ën grusht shteti dhe për fat të mirë, po e bëjnë prap tani në 2019-ën dhe ajo që ka ndodh pardje, kur kryeministri në fushatë deklaroi se nuk do ta njohë dekretin e presidentit dhe sot i dha rrugëzgjidhje për të mos e njohur, është tamam një grusht shteti. Unë kisha nevojë për këtë grusht shteti. Nuk ka gjë më të mirë se sa ky grusht shteti.

Krasta: Pyetja e fundit, sipas asaj që ti di nga pikëpamja juridike dhe më gjerë, çfarë do të ndodhë të enjten? Dhe do të të mbaj të vëzhguar për të kuptuar. Të paskan dalë ca gjëra gjatë këtyre viteve (qesh).

Goxhaj: Faktikisht e kam lojën shumë të vështirë këtë herë, sepse aktorët që janë futur nuk hyjnë tek pritshmëritë. Lëvizja e Metës nuk hynte tek pritshmëritë që kam unë me Sorosin. Kur kam panoramën e Sorosit e kam kollaj sepse konfigurohet figura. Ky ma ka vështirësuar shumë.

Por është e sigurt një gjë. Edi Rama dhe Erion Veliaj janë gjendur të papërgatitur me axhendën që ata kishin bërë, me skenarin e tyre të vjetër. Unë kam nje tëze timen që pretendoj se është e vërtetë. Në mars ose në prill, nuk e mbaj mend mirë, Edi Rama, Lulzim Basha dhe Alex Soros janë takuar në Paris. Dhe sipas kësaj marrëveshjeje, ata kishin për të shtyrë zgjedhjet lokale në shtator dhe për të bërë zgjedhjet parlamentare në 2020-ën.

Ajo që ka bërë Meta e ka ndryshuar të gjithë konfigurimin e  lojës, sepse e ka lënë Erion Veliajn përballë një krize ku Meta ka një armë që asnjë nuk e thotë. Meta mund të shpallë në çdo moment, si shtyrjen e datës së zgjedhjeve lokale dhe zgjedhje të parakohshme. Që do të thotë, t’i shpallë të dyja bashkë. Ata do të përpiqen e zemë ta shkarkojnë dhe Meta ka një armë, ai thotë dekret, shpallet data e zgjedhjeve lokale dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me dekret të presidentit. Dhe thotë, bëni çfarë të doni. Për ta hequr nuk e heqin dot dhe shkon Shqipëria aty ku duhet të shkojë. Pse them aty ku duhet të shkojë?

Kjo është një vrimë e zezë kushtetuese sepse në Shqipëri ka dy vjet që ka rënë rendi kushtetues. Sot nuk ka më gjykatës, nuk ka më prokuror. Sot ka nëpunës civilë të Shqipërisë që quhen gjykatës dhe prokurorë, sepse reforma e Soros që u bë në drejtësi, e gjitha e konceptuar nga Sorosi para se ambasada Amerikane dhe Bashkimi Europian të shprehej, ishte shkruar projekti i Soros. Unë të kam lënë një dosje ta kesh për veten tënde, me projektin e Soros për Reformën në Drejtësi dhe të gjitha dokumentat përkatëse.  Kishte qëllim ta linte Shqipërinë pa Gjykatë Kushtetuese. Sepse është e thjeshtë ta kuptosh. Nëse unë do ta nis Vettingun nga lart poshtë, a do kem Gjykatë Kushtetuese? Jo. As Gjykatë të Lartë. Sepse kështu shkon kjo, i pret kokat një e nga një nga lart.

Ata poshtë nuk konkurojnë dot sepse s’kanë kaluar Vettingun që do kalojë nga lart poshtë. Që do të thotë se ishte planifikuar që Shqipëria të mos kishte Gjykatë Kushtetuese. Që kishte rënë rendi kushtetues.

Çfarë bëri presidenti? Me të njëjtën skemë që Edi Rama funksionoi pa Gjykatë Kushtetuese, goditi Ramën pa Gjykatë Kushtetuese duke i vendosur “Shah Mat”. Rama nuk ka ku të luajë, nuk ka shans të bëjë gjykatë Kushtetuese, sepse i duhen plus 6 gjyqtarë. 3 i ka Gjykata e Lartë që s’ekziston. Nuk e bën dot. Nuk bëhet me tranzitorë, me të përkohshëm. Sepse është forma kushtetuese, por edhe ata gjyqtarë të lartë. Që të bëhet duhet që vetë presidenti ta dekretojë Gjykatën e Lartë.  S’bëhet.

Vetë presidenti ka 3 në xhep që nuk i nxjerr. Na u bënë gjashtë, ngelim me 3 që duhet t’i zgjedhë Parlamenti. Minimumi duhen 5 që të zgjedhin kryetarin. Kryetari nis procedurat. Që do të thotë nuk bëhet. Nuk ka gjykatë.

Në gjykatë Administrative nuk e çon dot. Ka dalë sot një vendim i vitit 2017, i Gjykatës Administrative Tiranë, që Gjykata e Apelit ka shqyrtuar dekretet e presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve.

E di çfarë thoshte? S’është tagri jonë thoshte. Është i Gjykatës Kushtetuese. Më thuaj ti mua. Çfarë do ndodhë ditën e enjte? Ta them unë. Ditën e enjte, këta kanë të gjithë detyrën dhe do Zoti ta bëjnë, që të fillojnë atë që quhet procedurën për shkarkimin e presidentit. Në mënyrë që presidenti të nxjerrë atë asin nën mëngë. Zgjedhje të parakohshme.

Krasta: Faleminderit që ishe në studio. Ti mund ta bësh që të flasësh në ‘Facebook’ vetë, ti tregosh të gjitha këto dhe jam i bindur që siç i kanë shkuar ca të tjerëve sot tek publiku nëpërmjet multimedias, mund të realizohet. Nuk ka nevojë pse të presësh nga televizionet që të të ftojnë në programe.

Goxhaj: S’kemi pritur, kemi shpikur në “facebook’ një televizion “Anti-soros TV”.

Krasta: Më vjen mirë që erdhe në program Altin Goxhaj dhe faleminderit shumë.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *