Më tej në deklaratën e tij për mediat, kreu i PD-së, Basha, tha se Rama po përdor si vegla në orët e fundit të pushtetit të tij, ministrin e Brendshëm, Lleshaj e Kryeprokuroren e përkohshme, Marku.
Ai tha se protestat qytetare e kanë futur në panik kryeministrin që kërkon të nxisë përplasje, dhunë dhe vëllavrasjen mes shqiptarëve.
“Rama kërkon të nxisë përçarje, dhunë, vëllavrasje. Për këtë ai po përdor policinë, prokurorinë, gjykatat, mediat. Motoja e tij është të përdorë çdo gjë për të ruajtur karrigen e tij. Dua t’u bëj thirrje të gjithë atyre që e ndjekin verbërisht që të tregojnë kujdes dhe të mos e shkelin ligjin pasi do përballen ashpër me të.” – tha ai.
Më tej Basha u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e 21 qershorit për të çuar deri në fund misionin për largimin e Ramës nga pushteti dhe zhvillimin e zgjedhgjeve të lira e të ndershme.
“Ju bëj thirrje të gjithë demokratëve dhe të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të jenë kurajozë dhe të bashkuar si deri më sot. Ne jemi të fortë. Ne jemi të vendosur. Ne kemi të drejtën me vete. Do të protestojmë, do të qëndrojmë deri në fitore. Të bashkuar, nuk na ndal asgjë dhe i fusim frikën në palcë Edi Ramës dhe mercenarëve të tij. Ftoj të gjithë qytetarët që të na bashkohen në protestën e të premtes së ardhshme. Forca jonë është e pathyeshme sepse ne jemi shumica, sepse ne jemi e drejta, sepse ne jemi e vërteta. Ne luftojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë, kurse ata janë zvarranikë që luftojnë për karriken që kanë marrë duke ju vjedhur votën, paratë, pronat dhe mundësitë. Tani është koha t’i merrni ato mbrapsht. Asnjë hap pas, deri në fitoren e afërt të betejës tonë për Shqipërinë si gjithë Europa.” – mbylli Basha.