Presidenti i Republikës së Kosovës SHTZ Hashim Thaçi organizoi një ceremoni dekorimi me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të Republikës së Kosovës. Institucione të Republikës së Shqipërisë, personalitete, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, ish-pjesëmarrës dhe përkrahës të drejtpërdrejtë të luftës çlirimtare, të cilët dhanë një kontribut të çmuar dhe të veçantë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, u dekoruan nga Presidenti Hashim Thaçi.
Në mes tyre ishte dhe Akademik, Prof. Dr. Anastas Angjeli, themelues i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë i cili u dekorua me Urdhërin e Pavarësisë së Kosovës. Ky urdhër u jepet personave që kanë dhënë kontribut të lartë në pavarësinë e Kosovës.
Prof. Dr. Anastas Angjeli, mbante postin e Ministrit të Financave të Shqipërisë, gjatë luftës për çlirimin e Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s. Gjithashtu ai ushtronte detyrën e Ministrit të Ekonomisë gjatë përpjekjeve për konstituimin e shtetit të Kosovës dhe përgatitjet për shpalljen e pavarësisë në vitin 2008.
Në fjalën e tij Presidenti Thaçi në mes të tjerave u shpreh “Të jeni të sigurt se kur kombi shqiptar u bashkua rreth luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës për liri, atëherë edhe ndërkombëtarët u vunë në lëvizje dhe këtu kemi dëshmitarë të këtyre angazhimeve, përfaqësuesit më të denjë të këtij angazhimi kombëtar për liri, për pavarësi të Kosovës. Prandaj, u shpreh mirënjohje secilit prej jush personalisht për rolin e jashtëzakonshëm edhe diplomatik, edhe politik, edhe ushtarak, edhe të gjithë segmenteve që ndikuan që bota të na përkrahë edhe më tepër”.