Arrestohet ish-presidenti i UEFA-s dhe kreu i futbollit evropian Michel Platini. Sikurse shkruan “Independent“, Platini u arrestua nga policia franceze të martën në mëngjes në Nanterre, si pjesë e hetimit të korrupsionit mbi mënyrën se si u ndanë të drejtat e mbajtjes së Kupës Botërore 2022.
63-vjeçari ishte president i UEFA-s nga janari 2007 – kur ai zëvendësoi të ndjerin Lennart Johansson – derisa dha dorëheqjen në vitin 2015 pasi u ndalua nga futbolli për gjashtë vjet për një seri shkeljesh. Më vonë kjo periudhë ndalimi u reduktua në katër, pas apelimit të sanksionit në Gjykatën e Arbitrazhi për Sportin.
Katarit iu dha e drejta për të organizuar Kupën e Botës në dhjetor 2010, por ka pasur një numër të polemikave në lidhje me këtë.
Në 2014, Platini pranoi mbajtjen e një takimi në fshehtësi me ish-zyrtarin e futbollit Mohamaed Bin Hammam, përpara se të votonte për Katarin.
Akuzat për korrupsion dhe ryshfet brenda FIFA ngritën pyetje mbi legjitimitetin e ofertës nga Katari. Ish-zëvendëspresidenti Jack Warner pretendoi se një e-mail ishte publikuar mes akuzave se Katari kishte ‘blerë’ Kupën e Botës– megjithëse ekipi i ka mohuar.