Vendosni fjalën kyçe....

‘Zgjedhjet me kriminelë prodhojnë qeverisje kriminale, Rama të tërhiqet sa s’është vonë’ – LSI


Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama, i ka bërë thirrje kryeministrit Rama që të tërhiqet menjëherë nga dhuna ndaj qytetarëve pasi në të kundërt revolta e popullit do jetë e pandalshme.

Në një deklaratë për mediat nga selia e LSI-së, Rama tha se situata dhe kriza e thellë në të cilën ndodhet vendi është rezultat i papërgjegjshmërisë së kryeministrit Rama dhe manipulimit të zgjedhjeve.

Ai theksoi se Rama duhet të tregojë sadopak përgjegjshmëri dhe të mos motiviojë sjellje kriminale të institucioneve kushtetuese.

‘Kundërvënia e KQZ ndaj ligjit, kundërvënia e njërës polici përballë tjetrës dhe kundërvënia e qeverisë ndaj qytetarëve është shfaqja alarmante e vendit se ku e ka katandisur vendin qeveria. Qeveria e votave të blera, qeveria e presionit dhe e dhunës mbi qytetarët siç dëshmohet edhe nga përgjimet më të fundit.

Marrëzia shkon edhe më tej që kur prej kryeministrit të vendit dhe gjithë të tjerët thonë çfarë ka ndodhur nuk është asgjë, ai thotë që do bëja prapë, dhe banditët poshtë tij thonë kjo është normale në një fushatë zgjedhore. Përballë një situate kriminale zgjedhjesh, natyrisht edhe produkti nuk mund të jetë i ndryshëm.

Zgjedhjet me kriminelë prodhojnë qeverisje me kriminelë. Ajo çfarë duhet bërë në këtë moment është tërheqja e menjëhershme e qeverisë dhe institucioneve që zbatojnë urdhrat e saj e jo ligjin sepse zemërimi dhe revolta përballë tyre do jetë e pamëshirshme”, deklaroi Luan Rama.

Ajo që duhet të bëjë më së pari kryeministri të paktën tani të dëshmojë që i ka mbetur sado pak përgjegjshmëri, të japë dorëheqjen dhe të mos motivojë sjellje kriminale të institucioneve kushtetuese që ai i ka kapur për të përligjur dhe justifikuar këtë realitet.

Dje në mënyrë të paturp ai dhe zyrtarë të tjera dolën e na e shitën prapë dështimin për mos çeljen e negociatave si sukses. Natyrisht se besoj se nuk janë budallenj që të mos kuptojnë se përgjegjësia është e tëra e tyre. Sot është koha, nesër do të jetë vonë sepse Shqipëria nuk mund të marrë përsipër dhe të përballojë kostot e papërgjegjshmërisë së një tufe horrash që kanë ardhur në pushtet përmes votës së blerë e të trafikuar.

Shqipëria nuk është në fushatë zgjedhjesh, Shqipëria ka nevojë për arsye, paqe e gjykim të arsyeshëm e në zbatim të ligjit. Kush bën të kundërtën vetëm iu shërben interesave anti-shqiptare, atyre klaneve që kanë dashur e duan e sponsorizojnë këtë përçarje mes qytetarëve shqiptarë’, deklaroi Luan Rama.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *