Vendosni fjalën kyçe....

Letër babait


Nga Elio Laze

Unë kam qenë në gjumë por edhe zgjuar po të isha nuk besoj se do e mbaja mend puthjen që më dhe pasditen e 23 qershorit 1990 sepse isha vetëm 1 vjeç. Me puthe sepse tek dera e shtëpisë ishin shokët e tu, Burhani, Maksi dhe të tjerë që kishit planifikuar të godisnit regjimin diktatorial. Do ta godisnit duke bërë një akt të guximshëm. Duke goditur me Skodën Liaz të Fatos Kacelit murin e ambasadës italiane. Dhe duke hedhur atë mur dhe duke u futur në atë oborr, ju do te gjenit lirinë.

Ju e bëtë aktin tuaj dhe regjimi u trondit rënde. 
Jave pas aktit tuaj, i gjithë populli u derdh nëpër ambasada duke fituar lirinë e mohuar dhe duke i dhënë goditjen vdekjeprurëse regjimit.

Baba! 

Ju e bëtë atë akt sepse ju erdhi shpirti në majë të hundës. Ju nuk ishit të lirë të flisnit, të këndonit, të lëviznit e madje as të mendonit. Sepse tjetër kush i bënte këto jo vetëm për ju por për të gjithë shqiptarët. Dhe regjimit i erdhi “ngordhja” kur unë isha vetëm 1 vjeç. 

Baba!

Unë sot jam 30 vjeç. Jam aq sa ishe ti në 1990. Pas pak kohësh, siç më tundje ti në djep, unë do të tund time bijë. Por e di ç’po ndodh baba? Njësoj si juve atëherë, edhe mua, miqve te mi dhe gjithë shqiptarëve, qeveria po na torturon. Po na përndjek për mendimet tona. Po shoqërohemi nëpër komisariate për shkrimet tona. Po na kufizojnë mendimin. Dhe nga nesër kanë vendosur të miratojnë ligjin në Parlament që nëse neve nuk lejojmë Edi Ramën të bëhet diktator, do na heqin mundësinë të lëvizim të lirë nëpër Evropë. Po baba po. Në atë Evropë që ju derdhët gjak të lëviznit në 1990, këta do të na e ndalojnë në 2019. 

E di kush janë këta baba? 

I biri i Kristaqit, mbesa e Beqirit, çuni i Hamitit, nipi Sulejmanit, mbesa e Llambit, i biri i Sulos dhe çdo fëmijë, nip e mbesë e bllokut. 
Erdhën prapë në krye të shtetit dhe po vendosin pushtetin siç duan. Siç bënë gjithë jetën në fund të fundit. 

A ma këshillon dot baba të mos dal në protestë? 
A do e pranoje që mbesa jote të ketë një baba që nuk lëviz dot lirshëm nëpër Evropë, kur ti, gjyshi i saj, bërë skandal duke hyrë me gjithë makinë në ambasadën Italiane? Dhe këtë po na e bën Edi Rama. 

A do ishe i lumtur që ne sot të heshtim dhe thjesht të bindemi, pa parë, pa dëgjuar e pa menduar? 
Jo baba! Si prind unë e kuptoj qe ti do më të mirën për fëmijën tënd, por unë dua lirinë për fëmijën tim. Dhe nëse si baba do me thoje: “Mos u përziej”, si Luan do me thuash: “Hidheni dhe këtë diktature bir”
Me lejo sot baba, që duke të të shkruar një letër publike, të kërkoj bekimin tënd dhe të mijëra baballarëve të tjerë që të mos e lejojmë këtë diktaturë që po instalohet. 
Dikur ke lexuar një shprehje që ma thua shpesh: “Kush mjekon krahët e skifterit, mban përgjegjësi për kthetrat e tij”. 

Unë dhe qindra mijëra të tjerë nuk do mjekojmë asnjë skifter grabitqar me heshtjen tonë. 
Ditën e premte do jemi në shesh. Në protestë. Për lirinë. Për demokracinë. 
Ejani dhe ju prindër. Ejani dhe dalim të gjithë bashkë për ta ndaluar diktaturën. Eja dhe të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë. Të “vrasim” diktatura”. 

Siç ke thënë në një libër tëndin: “Çdo fjalë apo mendim kundër së keqes, nuk është kurrë më e keqe se e keqja vetë”. 

Eja baba dhe s’do bëjmë asgjë te keqe. Do ndalojmë diktaturën. 
Atë që ti bëre në 23 qershor 1990 ne do ta bëjmë më 21 qershor 2019.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *