Mijëra protestues kanë tentuar të mësyjnë në parlamentin e Gjeorgjisë gjatë një tubimi masiv kundër një fjalimi të mbajtur nga një ligjvënës rus.
Siç shkruan “BBC“, policia i ndaloi protestuesit të hyjnë në ndërtesë, duke përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome. Sakaq thuhet se si pasojë e përplasjeve, kanë përfunduar në spital 39 oficerë policie dhe 30 protestues.
Tensionet u ndezën kur Sergei Gavrilov iu drejtua kuvendit në Asamblenë parlamentare të Orthodoksisë (IAO), një organ i ngritur nga parlamenti grek në vitin 1993 për të nxitur marrëdhëniet midis ligjvënësve të krishterë ortodoksë, duke iu drejtuar këtyre të fundit nga selia e folësit.
Rusia dhe Gjeorgjia kanë luftuar mbi dy rajone të shkëputura gjeorgjiane. Abkhazia dhe Osetia e Jugut u pushtuan nga Rusia në vitin 2008, Moska i njeh ato si shtete të pavarura dhe trupat ruse kanë mbetur atje që nga ajo kohë.
Sergei Gavrilov iu drejtua delegatëve në rusisht, duke i zemëruar politikanët dhe gjeorgjianët që kundërshtojnë me forcë praninë e Moskës në vend. Seanca u pezullua dhe Gavrilov thuhet se u largua nga vendi.
Duke bërë thirrje për kryetarin Irakli Kobakhidze dhe zyrtarë të tjerë për të dhënë dorëheqjen, rreth 10,000 protestues kanë çarë kordonin e policisë në Tbilisi.
Qytetarët iu përgjigjën thirrjes së opozitës gjerogjiane, duke u mbledhur për të protestuar kundër asaj që shumë gjeorgjianë thonë se ishte një akt i egër. Ata thonë se panë një deputet nga një vend “okupues” që hyri në parlamentin e tyre.