Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka publikuar sot një spot përmes të cilit fton shqiptarët të marrin pjesë në protestën e sotme, protestën e 9-të kombëtare të opozitës.
“Të gjithë bashkë sonte në orën 20:00, si njerëz të lirë, si qytetarë me dinjitet, si shqiptarë kurajozë, prindër, motra, vëllezër, bij e bija shqiptarësh, në manifestimin kombëtar të vullnetit tonë të pakthyeshëm për Shqipërinë si gjithë Europa! #ShqipëriaSiEuropa“, shkruan kryedemokrati.
Në videon e publikuar, renditen arsyet se përse shqiptarët duhet ta ndalojnë qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
“Kriminelë në qeveri dhe parlament. Banditë në krye të bashkive. Hajdutë votash dhe banda në policinë e shtetit. Qeveria e krimit i ka përdhosur shqiptarët. Lukunia e hienave u demaskua Shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre nuk ja vret dot kush të ardhmen!”, citohet në spot.
Kujtojmë se ditën e djeshme, Basha paralajmëroi se protesta e sotme do të ishte paqësore dhe madje shtoi se do të ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Aurela dhe dy vajzat.