“Kjo krizë do të zgjidhet jo mbi pazare, por mbi parime.”, kjo është deklarata e kryedemokratit Lulzim Basha këtë të shtunë, pas protestës së djeshme para Kryeministrisë për largimin e Edi Ramës.
“Oqeani i shpresës mbrëmë në Tiranë, ky bashkim madhështor i vullneteve të qytetarëve është besimi i çdo shqiptari tek ndryshimi që po vjen.
Kjo krizë do të zgjidhet jo mbi pazare, por mbi parime. Rruga për të dalë prej saj kalon përmes standarteve europiane: Para drejtësisë hajdutët e votave, largimi i Edi Ramës, reformë e thellë politike, dhe zgjedhje të lira e të ndershme.”, thekson Basha.
Sipas tij, “30 qershori është varreza politike e Edi Ramës dhe Organizatës Kriminale të Rilindjes. Largimi i tij është vetëm fillimi.”
“Ne duhet të ndryshojmë thellësisht politikën dhe ekonominë bazuar mbi vlerat dhe parimet e demokracive të Perëndimit, që kurrë më, askush të mos marrë peng të ardhmen e shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre duke shkrirë në një shtetin me krimin dhe oligarkinë.
Vetëm në këtë mënyrë do të garantojmë njëherë e përgjithmonë që Shqipëria të mos jetë më ajo që duan këta, Edi Rama, kriminelët, politikanët dhe oligarkët grabitqarë, por të jetë Shqipëria e të gjithë shqiptarëve. Shqipëria Si Europa.”, përfundon Basha.
Kryeministri Edi Rama është duke vazhduar fushatën për zgjedhjet vendore, edhe pse presidenti Ilir Meta i ka zhdekretuar ato.