Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, ka përgëzuar kryebashkiakun e ri të zgjedhur të Stambollit në zgjedhjet e 23 qershorit.
“Unë uroj Ekrem Imamoglu, i cili fitoi zgjedhjet sipas rezultateve jozyrtare”, tha presidenti në një postim në “Twitter”.
Erdogan shtoi se aleanca zgjedhore e Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) dhe Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP) do të vazhdonte, shkruajnë mediat turke.
Në zgjedhje morën pjesë gati 85 përqind e 10,570,222 votuesve. U numëruan të paktën 8,680,850 vota të vlefshme.
Masa të forta të sigurisë u morën për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në të gjithë qytetin, që u zhvilluan pa incidente serioze.
Kujtojmë se këto janë zgjedhjet e dyta për bashkinë e Stambollit, pasi rezultati i zgjedhjeve të 31 marsit u anulua nga Këshilli i Lartë Zgjedhor muajin e kaluar. Erddogan pretendonte se ishin bërë gabime gjatë procesit të zgjedhjeve dhe nuk e pranonte fitoren e kandidatit të opozitës, Ekrem Imamoglu, i cili fitoi sërish edhe në zgjedhjet e përsëritura.