Aleatët e Partisë Demokratike, kanë deklaruar pas takimit me kreun e opozitës, Basha, se aksioni opozitar do vijojë në çdo cep të vendit për t’u përballur me atë që e cilësuan si juntën e re politike.
‘Kjo javë do të kulmojë në protestën popullore, në një raport krejt të ndryshëm me mediat për të përcjellë idetë fikse që kemi prej katër muajsh, që këto nuk janë zgjedhje, ne nuk i njohim. Këto janë votimet e zotit Rama. Ne do të ndjekim dekretin e Presidentit. Dekreti është në fuqi.’ – tha Shehi.
Shehi shtoi më tej se Kolegji Zgjedhor është një fantazmë dhe ka marrë një vendim fantazmë për veten e tij pasi opozita nuk e njeh këtë vendim.
‘Kolegji Zgjedhor nuk ka marrë vendim për këtë punë. Kjo që u mor sot qe me një parti fantazëm. Kolegji në vetvete është një lloj fantazme në këtë mes, nuk ka më ndonjë vlerë, as politike, as juridike. Kolegji janë disa fatkeqë që u ka rasti i keq që të marrin disa vendime të vështira për veten e vet, jo për ne, sepse ne nuk i njohim këto vendime. Kështu që kjo do të jetë java e ardhshme.’ – shtoi ai.
Në fund Shehi tha se opozita do përballet në çdo cep të vendit me juntën politike duke theksuar se nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit.
‘Ne do të shkojmë të përballemi në çdo cep të Shqipërisë me juntën e re politike. Ne këto zgjedhje nuk i njohim. Në datë 30 nuk do të ketë votime. Kemi shumicën e shqiptarëve me vete. Jemi të qetë që po bëjmë gjënë më të mirë për Shqipërinë që po kalon një fazë të paprecedentë.
Rrezikshmëria e këtij presioni dhe e këtij grupi është kaq e madhe sa justifikon çdo formë rezistence. Kjo është ideja që kemi diskutuar.
Të gjitha format: demonstratë, për atë që mendoni ju se është brenda ligjeve, Kushtetutën sonë, demokracisë dhe e kemi treguar deri më sot kur janë mbledhur qindra mijëra njerëz në shesh dhe nuk ka ndodhur asgjë.’ – mbylli Shehi.