Stephanie Grisham, zëdhënësja kryesore e Zonjës së Parë të Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, do të jetë sekretarja e re e shtypit e Shtëpisë së Bardhë.
Lajmin e dha vetë Melanie Trump, e cila shkroi në “Twitter”: “Unë nuk mund të mendoj për asnjë person tjetër më të mirë për të shërbyer Administratës dhe vendit tonë”.
Sarah Sanders njoftoi dorëheqjen e saj nga posti më herët këtë muaj.
Sanders ka qenë një nga ndihmëset më të besueshme të presidentit gjatë punës së saj në Shtëpinë e Bardhë, që nga fillimi i presidencës Trump, duke u rritur në pozitë, nga zëvendës sekretare e shtypit kur zëdhënësi kryesor ishte Sean Spicer.
Presidenti Donald Trump tha se sekretarja e re ishte “fantastike” dhe e kishte pranuar punën të martën në mëngjes.
“Stephanie ka qenë me mua që nga fillimi”, u tha ai gazetarëve, citon “BBC“.
“Shumë njerëz e donin këtë punë, shumë njerëz donin ta bënin. Kam pyetur njerëzit, se cilin pëlqejnë më shumë, dhe shumë zgjidhën Stephanie. Ajo është këtu, i njeh të gjithë dhe merret vesh me mediat shume mirë.”, tha Trump.
Grisham ka punuar për familjen Trump që nga viti 2015. Ajo do të shoqërojë Presidentin e SHBA-ve Donald Trump, në rolin e saj të ri në udhëtimin e tij në Japoni dhe Kore këtë javë.
Grisham do të shërbejë si sekretare e shtypit dhe drejtore e komunikimit, një post që ka qenë i zbrazët që nga largimi i Bill Shine në mars.