Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha sot se ai është i sigurt se Shtetet e Bashkuara nuk do të vendosin sanksione ndaj shtetit të tij, pasi Ankaraja insiston që të mos e anulojë marrëveshjen për blerjen e sistemeve të mbrojtjes raketore S-400 nga Rusia.
Erdogan është takuar në margjinat e samitit të G20-ës me presidentin e SHBA-së, Donald Trump me të cilin kanë biseduar për marrëveshjen e Turqisë me Rusinë për blerjen e sistemeve S-400. “Dëgjuam nga ai (Trump) se nuk do të ketë diçka të tillë (sanksione)”, tha Erdogan.
Erdogan insistoi se Turqia dhe SHBA-ja janë partnerë strategjikë dhe shtoi se “askush nuk ka fuqi që të ndërhyjë në sovranitetin e Turqisë”. Zyra e Erdoganit, përmes një deklarate tha se presidenti Trump ka shprehur dëshirën e tij që çështja e sistemit S-400 të mund të “zgjidhet pa prishur marrëdhëniet bilaterale” SHBA-Turqi, raporton AFP.
Pavarësisht presionit nga Uashingtoni që marrëveshja për blerjen e këtij sistemi të mbrojtjes raketore të anulohet, Erdogan vazhdimisht ka deklaruar se kjo nuk do të ndodhë dhe së fundmi ka thënë se dërgesa e parë e sistemeve ruse do të arrijë në Turqi në mesin e muajit korrik.