Shqipëria ka humbur stafetën në renditjen e shteteve që janë përdoruese më të mëdha të kokainës, duke rezultuar e treta, sipas hartës, e publikuar nga UNODC, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimet, që në raportin e fundit vjetor ka përditësuar dhe të dhënat për prevalencën e narkotikëve për 2017-n.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur ka pasur konsumin më të lartë të kokainës në botë, me një prevalencë (përqindja e popullsisë prej 15-64 vjeç që kanë provuar të paktën një herë në jetë kokainën) prej 2.5%, Shqipërisë në renditjen e raportit të fundit ia kanë kaluar Mbretëria e Bashkuar (2.67%) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (2.7%).
Për Shqipërinë, UNODC vijon të raportojë të dhënat e vitit 2014, ndërsa për SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar janë përditësuar të dhënat për 2017-n.
Me të njëjtën prevalencë me Shqipërinë, është dhe Australia.
Nga vendet e rajonit, konsum të lartë të kokainës ka Mali i Zi, me prevalencë prej 1.8% dhe më të ulët, Serbia, me 0.1%.
Ndryshe nga kokaina, përdorimi i kanabisit raportohet më i ulët për shqiptarët, me prevalencë prej 5.6%, ku sërish të dhënat janë për 2014-n . Konsumi më i lartë i kanabisit në botë është në Izrael, me prevalencë prej 27% (të dhënat e fundit të 2016-s) dhe në SHBA, me 18.4% (të dhënat e fundit i përkasin 2018-s).
Mjaft i ulët raportohet përdorimi i amfetaminës, me prevalencë prej vetëm 0.1%, nga 3.1% që është rekordi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E njëjta prevalencë e ulët është dhe për ekstazi, me 0.2%, nga 3.8% që është rekordi në Holandë.
Në një tjetër kartë, që tregon sasinë e barit të kanabisit të kapur gjatë vitit 2017, Shqipëria është një nga tre shtetet europiane me sasinë më të lartë, 78 tonë, së bashku me Italinë (90 tonë) dhe Turqinë (94 tonë). Shteti me sasinë më të lartë të kapur po atë vit është Paraguai me rreth 1,000 tonë.
Në raportin e fundit për drogat të UNODC, Shqipëria ishte prodhuesi më i madh i kanabisit në Europën Juglindore për periudhën 2010-2017 dhe një nga tre shtetet që është përmendur më shumë në raportet e viteve të fundit për tranzitimin dhe kapjen e kanabisit, së bashku me Holandën dhe Spanjën.
Sipas të dhënave të raportit të UNODC, në Shqipëri janë asgjësuar në 2016-n rreth 2.5 milionë rrënjë, ose 5,205 plantacione në fushë të hapur. Sipas tabelave të publikuara nga UNODC , Shqipëria renditet e dhjeta në botë për nga sasia e kanabisit të asgjësuar për 2016-2017, ku rekordin e mbajnë Paraguai dhe Filipinet, përkatësisht 36.5 dhe 26.4 milionë rrënjë të asgjësuara.
Rritet norma e vdekjeve nga përdorimi i drogave në Shqipëri
Krahas rrezikut të kthimit të Shqipërisë në një vend prodhues dhe trafikues të narkotikëve, pasojat po vihen re dhe te përdoruesit dhe të varurit ndaj drogës. Të dhënat nga IHME (Institute for Health Metrics and Evaluation) dhe të publikuara nga portali Our World in Data treguan se norma e vdekjeve nga përdorimi i drogave në Shqipëri shënoi rritje në 2017-n.
Pas disa vitesh që ky tregues ishte në rënie të vazhdueshme, arriti përsëri në nivelin e para 10 viteve (shiko grafikun). Në 2017, përllogaritet se norma e vdekjeve për 100,000 banorë ishte 0.69, po aq sa në 2008-n.
Në 2017-n, në të gjithë Shqipërinë numri i personave që merrnin trajtim për varësinë nga drogat ishte 800, prej të cilëve 719 marrin trajtim për varësinë nga heroina, sipas të dhënave nga Aksion Plus. Ndërsa drejtuesit e OJF-së treguan se trendi i përdoruesve ishte në rritje.
VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Monitor.al