A ta presim Gjykatën Kushtetuese?! E presim por jo me autorin e Partisë-Shtet si Kryeministër. Kur autokratët po na e përdorin si Vetting-un për të krijuar klasën e gjyqtarëve nën influencë.
Si qytetare e këtij vendi edhe e pranoj kërkesën e ndërkombëtarëve për durim deri në themelimin dhe interpretimin nga Gjykata Kushtetuese.
Megjithëse në kulturën time juridike, ajo që cilësoi raporti i ODHIR mjafton për ta njohur/shpallur procesin zgjedhor si nul. Ky proces nuk ishte proces për zgjedhësit e as nuk ishte proces me roje që garantojnë shifra (administrator balancuar).
Por të analizojmë pak më gjatë, për të mos harruar se Gjykata Kushtetuese u shkri edhe si pasojë e Vetting-ut. Për të gjithë ata që na nxitën të bëjmë këtë vetting në drejtësi, vetting-u juaj (gatim i juaji, ushqim për ne) është në rrezik.
Gjykata Kushtetuese nuk mund të themelohet me Ramën kryeministër dhe mbështetësit e tij aktiv. Vetting-u është alibia dhe shpata që Rama po e përdor jo vetëm për kundërshtarët, por edhe për të pavarurit që nuk janë tunduar t’i puthin dorën.
Dy vendimet e Vettingu-t për dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja dhe Fatmir Hoxha ma kanë dhënë këtë bindje. Përjashtimi i tyre nga sistemi nuk ka qenë argumentim shterues , bindës, argumentues, përkundrejt faktit që po t’i krahasojmë me vendime për të tjerë pjesëtarë të sistemit standardi i dyfishtë është evident dhe domethënës.
Në gjykimin tim vendimi lexohet si një vendim për të instrumentalizuar drejtësinë duke nxjerrë jashtë ata që nuk janë mbështetës të Ramës. Përveçse jo bindës vendimi për Fatmir Hoxhën, është edhe me standard të dyfishtë.
Në të njëjtën javë Vettingu-n e kaloi dhe u pranua një gjyqtar tjetër i sistemit, duke njohur si të justifikuara dhuratat familjare prej 30 mijë eurosh dhe duke e këshilluar (si me qene konsulenti personal i taksave) të deklarojë dhe paguajë tatimin mbi të ardhurën personale nga dhurimi që është prej 15%.
Këtë standard Vetting-u nuk e aplikoi për Fatmir Hoxhën, megjithëse shuma ishte më e ulët dhe prova e dhurimit ishte e regjistruar në një kasetë të një ceremonie familjare sipas traditës. Fatmir Hoxhës jo vetëm nuk i dhanë konsulencë për pagesën e tatimeve mbi dhuratat e dasmës, por e dëbuan nga sistemi.
Hoxha është gjyqtar karriere, ai vjen nga një mjedis modest dhe karriera e tij nuk sponsorizohet as nga familjarë me pushtet dhe influencë (që nuk i ka), as nga lidhje me krimin, as nga suporti partiak, dhe as nga pazare e puthje të dorës së pushtetit.
Hoxha ka punuar në zona të vështira për shtetin dhe drejtësinë si dhe është nga qarku i Shkodrës, emërimet kanë bazë tek rezultatet e tij në universitet dhe gjykatë. Rrëzimi i këtij anëtari të Gjykatës Kushtetuese është një provë e fortë që autokratët në pushtet po e përdorin shpatën e mprehtë të vettingu-t për të konfirmuar klasën e gjyqtarëve nën influencë.
Prandaj nëse duhet të pres Gjykatën Kushtetuese, kjo nuk mund të themelohet me Ramën kryeministër, dhe mbështetësit e tij deputetë, ish-prokurorë, ish-policë e ish-gardianë burgjesh (me influenca) që për vete nuk i janë nënshtruar vettingu-t.
Pasi ky i fundit na ka dhënë prova që po shkatërron çdo qelizë të institucioneve në emër të pushtetit. Ky i fundit në opinionin tim po përdorur edhe Vetting-un si shpatë e mprehtë për kundërshtarin dhe jo mbështetësin.
Duhet të ikë Rama që të shpëtojë vetting-u e të rifitojë cilësitë e një procesi teknik.