Ka përfunduar takimin i kreut të PD-së Lulzim Basha me kryetarët e bashkive të djathta. Pas takimit, krerët e bashkive janë shprehur se në 30 qershor nuk kishte zgjedhje.
Ata treguan “unifikimiin e tyre” duke paralajmëruar në formë të prerë se nuk do të lirojnë zyrat duke i cilësuar të zgjedhurit e 30 qershorit si persona “ilegjitim”. Kryetari i bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu tha se në 30 qershor nuk kishte zgjedhje, ndërsa shtoi se nuk do të lirohen për asnjë moment zyrat për kryetarët e rinj, raporton News 24.
“Nuk ka shanse të lirojmë zyrat, këto nuk janë zgjedhje. Zyrat i lirojmë nëse vjen një kryetar legjitim”—tha shkurtimisht i pari i bashkisë së Kamzës pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën.
Por në të njëjtën linjë me kreun e bashkisë së Kamzës ishte edhe ai Lezhës, Fran Frrokaj, i cili tha se do pritet një vendim për faktin se nëse do të lënë apo jo të hyjnë në bashki të zgjedhurit e 30 qershorit.
“Do ketë një vendim nëse do i lirojmë zyrat apo jo”-tha ai.
Kryetari i bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj u shpreh i vendosur se ai dhe kolegët e tij në bashkitë e djathta nuk do lirojnë zyrat, pasi sipas tij, procesi i 30 qershorit nuk kishte lidhje me zgjedhjet, por ishte thjesht votim pa mundësi zgjedhjeje.
“Nuk i lirojmë zyrat, nuk ishin zgjedhje por votime”-theksoi ai.