Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Klement Zguri, merret në mbrojtje nga Garda e Republikës pas kërcënimeve që ka marrë për jetën.
Burimet mediatike raportojnë se “kërcënimet janë shumë serioze” dhe se Klement Zguri është marrë në mbrojtje nga një numër i lartë efektivesh të Gardës së Republikës, të cilët ndodhën në zyrën e tij, por edhe në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Familja e Zgurit është marrë gjithashtu në mbrojtje nga forcat e rendit.
Ky lajm vjen një ditë pas mbledhjes ku anëtarët e KQZ-së u përplasën për hapjen e kutive të votimit të 30 qershorit. Sipas gazetës “Panorama”, Zguri është kërcënuar rreth 30 minuta pas përfundimit të mbledhjes, por nuk bëhet me dije as kërcënuesi dhe as natyra e kërcënimit.
Ditën e djeshme, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rrëzuan kërkesën e kreut të KQZ-së, Klement Zguri për hetim administrativ të zgjedhjeve.
Sipas Zgurit, hetimi i propozuar prej tij ishte për të rikthyer besimin te publiku dhe për të bërë sa më transparent procesin e 30 qershorit.
Zguri kërkoi hapjen e kutive të votimit, për të numëruar edhe një herë votat për të nxjerrë shifra të sakta të pjesëmarrjes. Por nënkryetari Denar Biba, tha se kjo hedh në erë procesin zgjedhor të 30 qershorit.
Klement Zguri është i vetmi nga KQZ, i cili ka mbështetur dekretin e presidentit të Republikës për zhvendosjen e zgjedhjeve më 13 tetor.