Katër klube të Kategorisë Superiore, rrezikojnë që të përjashtohen nga kampionati i sezonit tjetër, për shkakun se nuk plotësojnë kriteret financiare, për të qenë pjesë e garës sipas rregullave të lojës.
Diçka e tillë, bëhet për shkakun e mos shlyerjes së futbollistëve apo stafit në kohë, si dhe për parregullsi në bilancet e klubeve. Sipas “Panorama Sport” Komiteti Ekzekutiv, pas mbledhjes së ditës së sotme, u ka dhënë kohë deri më datën 31 korrik, katër klubeve, Tiranës, Vllaznisë, Flamurtarit dhe Luftëtarit, që të përmbushin detyrimet e tyre.
Pothuajse rreth një muaj kohë, që klubet të përmbushin detyrat e vëna nga FSHF, përndryshe, ndaj tyre mund të ketë edhe masa drastike, për të mos u licencuar në sezonin e ri, njësoj siç UEFA nuk licencon klubet shqiptare me probleme financiare.
Ky është një sinjal i qartë i FSHF-së për të shmangur precedentë si të Flamurtarit, që thuajse gjithë sezonin e fundit nuk pagoi lojtarët dhe tashmë rrezikon të ketë një ‘mal” me gjyqe në FIFA prej borxheve.